218 anijet shqiptare jashtë kontrollit të radarëve-Prokurori italian konfirmon dyshimet

0
268

Deklaratat e një prokurori Italian konfirmon dyshimet e hedhura pas hulumtimesh të bëra në Shqipëri se lënia jashtë kontrolli me radarë të anijeve të peshkimit ka sjellë trafik ndërkombëtar droge nëpërmjet tyre.

Giovanni Bombardieri, prokuror në prokurorinë e Catanzaros, teksa u ka shpjeguar gazetarëve se si është mundësuar transporti i drogës, rreth 5 ton kanabis, kapur në operacionin  “Stammer 2-Melina”, jo vetëm që ka folur për rolin e Adrian Licajt, ish-shef i Antidrogës në Vlorë, por edhe ka thënë se droga transportohej edhe me peshkarexha.

Për të eksportuar kanabisin drejt Italisë përdoreshin disa lloje mjetesh detare: nga motorët e ujit, te skafet, gomonet dhe deri te peshkarexhat normale.

Zbarkimi ndodhte në në plazhet e San Foca-s, San Cataldo-s afër Leçes, dhe peshkarexhat normale që e linin drogën në portet e Brindizit dhe në Mola di Bari.

Në një shkrim të publikuar në Hashtag.al, disa javë më parë, një zyrtar qeveritar pranonte se 218 anije peshkimi shqiptare ishin jashtë kontrollit të radarëve QNOD, që prej prillit të vitit 2017.

“Në total janë 218 anije peshkimi që duhet të jenë të pajisura me një sistem gjurmimi-GPS të quajtur BlueBox. Vetëm  187 anije e kanë të lidhur sistemin ‘BlueBox’ por që prej muajit Prill 2017 nuk funksionon sinjali, sepse kompania private që ofronte shërbimin ka ndërprerë kontratën. Praktikisht anijet e peshkimit në Shqipëri janë prej 10 muajsh jashtë kontrollit QNOD, në kundërshtim me ligjin dhe në shkelje flagrante të kushteve për ruajtjen e sigurisë kombëtare.” – deklaronte zyrtari

Kjo gjë shtonte dyshimet se një pjesë e këtyre anijeve të peshkimit, të papajisura me sistemin e gjurmimit BlueBox, mund të jenë përdorur nga grupet e trafikantëve të drogës, për të transportuar lëndën narkotike drejt Italisë.