Astrit Veliaj bëhet deputet, gratë në listë refuzojnë mandatin

0
396

Tërhiqen nga lista dy kandidatet për deputete që ndodheshin në listën e Partisë Demokratike në qarkun e Beratit. Janë dorëhequr nga kandidimi Juvina Jani dhe Monika Qosja. Në këtë mënyrë i hapet rruga kandidatit për deputet Astrit Veliaj. Dy kandidatet kanë dorëzuar dje në KQZ dorëheqjen nga kandidimi. Në listën e kandidatëve PD, Astrit Veliaj figuronte pas Eduard Halimit por për shkak të mos plotësimit të kuotave gjinore, i takonte njërës prej dy kandidateve femra të merrnin mandatin. Eduard Halimi la mandatin më 9 shkurt 2018, për tiu kthyer profesionit të tij prej juristi dhe për tiu përkushtuar një projekti të së drejtës ndërkombëtare private.  Dy kandidatet gra në listat e Partisë Demokratike në Qarkun e Beratit, Juvina Jani dhe Monika Qosja, kanë depozituar zyrtarisht pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dorëheqjet nga kandidimi duke refuzuar mandatin e deputetit. Kjo bën që mandati i mbetur i lirë pas dorëheqjes së deputetit Eduard Halimi t’i kalojë biznesmenit, Astrit Veliaj. Në dorëheqjet e depozituara nga Jani dhe Qosja, bie në sy ngjashmëria e fortë në formë dhe përmbajtje. Të dyja kandidatet e motivojnë refuzimin për t’u bërë deputete me “motive personale”. Dy zonjat renditeshin në fund të listës së demokratëve për Beratin, qark për të cilin selia blu ka paguar edhe gjobën për mosrespektim të kuotave gjinore. Sipas kësaj, mandati i lënë nga Eduard Halimi duhet t’u shkonte fillimisht dy grave dhe vetëm nëse ato refuzojnë, siç edhe ndodhi, ndiqet renditja e meshkujve, ku i dyti në listë gjendet Astrit Veliaj. Skema risjell në kujtesë për nga ngjashmëria atë që ndodhi me listën e socialistëve në Qarkun e Lezhës mandatin e kaluar, ku kandidatet Mejreme Delishi dhe Mirela Neli refuzuan mandatin që më pas i shkoi Arben Ndokës. E njëjta gjë ndodhi në Laç me listën e demokratëve, ku ish-zv/trajneri i Kombëtares, Vasil Bicaj, refuzoi mandatin, gjë që mundësoi futjen në Parlament të Mhill Fufit. Edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se rasti i Astrit Veliajt në Berat, nuk ka ngjashmëri me atë të Arben Ndokës, pasi sipas tij nuk ka pretendime për kriminalitet. Ai tha se është çështje e KQZ mandati i lënë i lirë nga Eduart Halimi.