Atentati ndaj Lulzim Kullës, policia publikon emrat e autorëve të dyshuar

0
266
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Policia e Shkodrës ka publikuar emrat e tre autorëve të dyshuar të shpërthimit me tritol në 13 janar ku mbetën të plagosur 8 persona, mes tyre edhe shënjestra e atentatit Lulzim Kulla. Drejtori i policisë së Shkodrës, Gjovalin Loka tha se në kuadër të operacionit “Together” u arrestuan Endri Çopja, Argel Lulja dhe Serxho Teta të tre nga Elbasani. Për dy të parët Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër kishte caktuar masë sigurie “Arrest në burg, në mungesë”, për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”,  të kryera në bashkëpunim. “Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë hetimeve të ndjekura me metoda speciale dyshohet se janë autorë për ngjarjen në fjalë, ku mbetën të plagosur me lëndë plasëse 8 shtetas, ndër ta edhe shtetasi me iniciale L.K., i cili dyshohet se ishte objektiv i atentatit”, tha policia. Ndërsa Serxho Teta, 24  vjeç, banues në Elbasan u arrestua për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe i municionit”. “Gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e tyre janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa celulare, 4 automjete, 2 nga të cilat janë përdorur nga autorët ditën e ngjarjes, 6 000 euro, tre maska dhe fishekë luftarake”,sqaroi policia. Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër vazhdon puna për dokumentimin e  plotë ligjor të kësaj vepre penale.

Zjarr Tv Ad