Bajram Curri, vjedhin dyqanin. Hajdutëve të cigareve i gjejnë dhe tritol

0
516

Dy persona janë arrestuar pasi akuzohen se kanë vjedhur me thyerje një dyqan në Tropojë. Ndalimi i tyre është bërë më 8 shkurt 2018 ndërsa grabitja ka ndodhur gjatë natës në qytetin e Bajram Currit. Të arrestuarit janë Din Sylaj, 22 vjeç,  dhe Bledar Gelaj, 23 vjeç, të dy banues në fshatin Koçanaj, Tropojë. “Arrestimi i tyre u bë pasi dyshohet se gjatë natës në qytetin e Bajram Currit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur me thyerje, dyqanin e shtetasti S.D., 47 vjeç, banues në Bajram-Curri, ku kanë vjedhur një sasi lekësh dhe steka cigaresh të llojeve të ndryshme” informon policia e Kukesit.  Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në banesën e tyre,  ju gjetën dhe sekuestruan  në cilësinë e provës materiale sasia prej 170.000 lekë dhe 80 steka cigaresh të llojeve të ndryshme. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Din Sylaj, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 1(një) kallëp tritoli. Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprat penale ” Vjedhja kryer në bashkëpunim”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, parashikuar nga nenet 134-25 dhe 278 të Kodit Penal.