Basha akuza Ramës: Me projektet qeveritare, po pastron paratë e krimit dhe drogës

0
175

Kreu i PD-së, Basha, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit Rama në fjalën e tij në seancën e sotme plenare. Kryedemokrati tha se Rama po i krijon hapësira krimit në vend që të pastrojë paratë e fituara nga veprimtari të paligjshme, nëpërmjet projekteve të qeverisë.

“Po formalizohet trekëndëshi qeveri-sistem bankar-krim i organizuar, përmes projektit 1 miliardë. Justifikimi për projektin është diabolik, Rama deklaron se nuk ka para dhe e vërteta e hidhur është se vetëm krimi ka para. Rrënimi ekonomik i Shqipërisë është aseti më i madh që ka krimi sot. Aktivitetet kriminale nuk zhvillohen më mes maleve, por në sheshet dhe bankat në qendër të Tiranës. Forma më e rrezikshme e krimit të organizuar nuk është më një grup që grabit me pistoletë në dorë, por kur bëhen bashkë krimineli dhe politikani”.

Më tej Basha tha se kreu i qeverisë u ka lënë terren të hapur trafikantëve dhe kriminelëve që tashmë nuk po kënaqen më me kanabis por merren me heroinë dhe kokainë duke shfrytëzuar të njëjtat rrjete dhe mbështetje politike.

“Krimi është sofistikuar dhe ka evoluar në mënyrë të frikshme. Droga është depozituar në tunele dhe depo, ndërsa preferenca e krimit është heroina dhe kokaina. Po shfrytëzohen të njëjtat linja si në rastin e kanabisit, e njëjta mbështetje politike. Shikoni se çfarë po ndodh, në Itali dhe Holandë po kapen grupe kriminale shqiptare me qindra tonë heroinë dhe kokainë, ndërsa kryeministri po kontrollohet nga krimineli. Çfarë problemi ka një kriminel të blejë një doganier apo një ministër kur kontrollon kryeministrin. Ditën kur Rama hyri në godinën e kryeministrisë, krimi erdhi në pushtet, ndërsa do të lulftohet kur Rama të ikë nga zyra e Kryeministrit”.

Në fund të falës së tij Basha foli për ccështjen e ish-ministrit të Brendshëm Tahiri dhe kriminalizimit të politikës, që sipas tij kanë si autor të vetëm, kreun e qeverisë.

“Rama përkëdhelte Elvis Roshin, kurse Tahirin se largonte nga krahu i tij i djathtë. Strehoi në kuvend dhe në krye të bashkive më shumë kriminelë se në burgun e sigurisë së lartë. Tani që e vërteta e kanabizimit të vendit ka marrë dhenë, pasi i mashtroi shqiptarët me shëndetësinë falas, tani po mundohet të vërë në skenë një mashtrim të madh, deklaroi se do të çlirojë Shqipërinë nga krimi. Ata që i mashtruan shqiptarët për 4 vjet duartrokitën me sytë poshtë, pasi ata e dinë se Rama ka lidhjet me kriminelët. Nuk Shqipëri nuk do ketë as stabilitet, as rend, as drejtësi, as liri, as demokraci dhe as përparim me Edi Ramën në krye të qeverisë. Kur ne të bëhemi të gjithë bashkë, kundër Edi Ramës, përtej ngjyrimeve politike dhe paragjykimeve, atë çast pushteti i Edi Ramës merr fund dhe bashkë me të edhe pushteti i krimit. Ajo ditë do të vijë shpejt”