Buxheti i Bashkisë së Tiranës për 6-mujorin, të ardhurat nga taksat rriten 54%

0
570
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Të ardhurat totale të Bashkisë së Tiranës nga taksat, tarifat pagesat dhe grantet e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara arritën në 9.4 miliardë lekë, ose rreth 68 milionë euro për 6 muajt e parë të këtij viti, duke shënuar një rritje me 40% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shifrat bëhen të ditura nga portali financatvendore.al.

Të ardhurat nga grantet e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara (fondet që i jepen pushtetit vendor nga Buxheti) arritën në 2.9 miliardë lekë, ose 31% të totalit.

Krahas fondeve që ka marrë nga buxheti, Bashkia e Tiranës ka arritur të mbledhë vetë nga taksat, tarifat dhe pagesat 6.3 miliardë lekë (rreth 46 milionë euro), me një rritje të ndjeshme prej 54% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Vetëm nga taksat (Taksa e biznesit të vogël, Taksa e pasurisë, Taksa e hoteleve, Taksa e infrastrukturës, Taksa e transferimit të pasurisë së paluajtshme, Taksa mbi reklamat), Bashkia ka mbledhur 4.4 miliardë lekë (rreth 33 milionë euro), me një zgjerim të ndjeshëm prej 90% në raport me gjashtëmujorin e parë 2016.

Efektin në këtë zgjerim e ka dhënë tërësisht nga taksa e infrastrukturës, që Bashkia mbledh nga ndërtuesit për ndërtimet e reja dhe që është 8% e vlerës së shitjes. Të ardhurat nga kjo taksë ishin 2 miliardë lekë (rreth 15 milionë euro) për 6-mujorin e parë 2017, nga 174 milionë lekë (1.3 milionë euro) për janar-qershor 2016, pra më shumë se 10 herë më e lartë.

Të ardhurat nga taksa e infrastrukturës zunë 45% të totalit të taksave të Bashkisë dhe 32% të totalit të të ardhurave që ajo mbledh (përfshirë taksat, tarifat e pagesat). Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, këto shifra ishin përkatësisht 7.3% dhe 4.2%.

Zëri tjetër që sjell më shumë të ardhura në taksat lokale është ai i pasurisë (taksa mbi ndërtesën), me 1.3 miliardë lekë, ose 28%.

Nga tarifat dhe pagesat, bashkia ka mbledhur gjithsej 1.8 miliardë lekë në gjashtëmujorin e parë, me një rritje prej 6% me bazë vjetore. Peshën kryesore e zënë të ardhurat nga tarifat për shërbimet e pushtetit lokal si pastrimi dhe gjelbërimi, me 65%.

Të ardhurat nga tarifa për zënien e hapësirës publike ishin 162 milionë lekë, me një zgjerim vjetor prej 34%.

Në total, të ardhurat gjithsej të Bashkisë (nga taksat, tarifat, pagesat dhe grantet e kushtëzuara e pakushtëzuara) u rritën me 2.7 miliardë lekë dhe 68% e kësaj rritjeje (ose 1.8 miliardë lekë) erdhi vetëm nga taksa e infrastrukturës.

Rritja e të ardhurave i ka mundësuar Bashkisë që të kryejë më shumë investime kapitale. Sipas të dhënave të buxhetit, shpenzimet kapitale u dyfishuan në 6-mujorin e parë të vitit në 2.5 miliardë lekë (18 milionë euro).

Bashkia ka rritur dhe shpenzimet për strehimin dhe komunitetin me 55%, për edukimin me 23% dhe për mbrojtjen sociale me 14%.

Marrë nga /Hashtag.al

Zjarr Tv Ad