Defterë nga Turqia pasurojnë Arkivin e Shtetit

0
726
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nëse kishte diçka për të lëvduar Perandoria Osmane, ishin pikërisht defterët. Perandoria kishte të dhëna të sakta për çdo kënd të sajin, e sigurisht edhe për Shqipërinë, shkruan Panorama.

Fatmirësisht, këto të dhëna ruhen në Arkivat e Stambollit e tashmë mbi to do të kenë akses edhe shqiptarët. Falë bashkëpunimit të Arkivit Qendror të Shtetit Shqiptar me homologun turk, kanë ardhur në Tiranë 57 regjistra.

Këtë lajm e bëri të ditur drejtori i Arkivave, Gjet Ndoj, i cili premtoi se ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të rëndësishëm.

Edhe pse këta regjistra duhet të kalojnë fillimisht përmes një procesi tekniko-shkencor, mësohet se ata kanë një rëndësi të veçantë, pasi ofrojnë një informacion të dorës së parë për popullsinë, pronat dhe taksat në territoret shqiptare prej shek. XV-XIX.

“Më në fund kemi marrë një fond shumë të rëndësishëm, fondin e tahrireve. Në arkivat perandorake në Stamboll, i përbërë nga 980 regjistra, të të gjithë Perandorisë Osmane, prej të cilëve 57 janë për shqiptarët, për territorin e 4 vilajeteve shqiptare.

Madje, regjistri i parë i këtij fondi u përket shqiptarëve dhe i përket vitit 1431. Ne i kemi marrë të 57 regjistrat dhe që tashmë janë pjesë e Arkivit të Shtetit dhe shumë shpejt, pasi të kalojnë në procesin e përpunimit tekniko-shkencor, të katalogimit dhe futjes në sistem, do të jenë në dispozicion të studiuesve dhe të qytetarëve të interesuar”, tha Ndoj.

Tahrire
Tahrire

PERMBAJTJA

Defterët osmanë janë dy llojesh, përmbledhës (ixhman) dhe të hollësishëm (mufasatë). Përmbledhësit shënojnë për çdo vendbanim numrin e shtëpive, zotëruesit e pronës, timar dhe sasinë e taksave, kurse të hollësishmit ofrojnë edhe lista të detajuara të taksave, emrat e kryefamiljarëve, të beqarëve dhe të të vejave, pasi të gjithë ishin subjekt i taksimit.

Edhe më parë, studiues shqiptarë kanë pasur mundësi të kenë akses në këto arkiva, falë nismave të tyre personale, por tanimë ato do të jenë në shfrytëzim të të gjithëve. Por këto janë vetëm një pjesë e dokumenteve, që priten të tërhiqen nga Turqia. Dokumentet që priten të vijnë do të jenë me një rëndësi të veçantë, pasi lidhen me figura të shquara historike, siç është Ismail Qemali.

“Tashmë bashkëpunimi është në një rrugë të mbarë dhe jam i sigurt se do të përfitojmë mijëra dokumente të tjera. Në fund të këtij muaji do të na vizitojë drejtori i përgjithshëm i Arkivave të Turqisë, i cili na ka dhënë shpresë se do të na mbështesë për dixhitalizimin e arkivave”, tha Ndoj.

Ndërkaq, të tjera dokumente me rëndësi janë marrë nga Arkivat e Maqedonisë, Malit të Zi, falë bashkëpunimit dypalësh, por me rëndësi kanë qenë edhe prurjet nga palët e treta, që hedhin dritë mbi aspekte të ndryshme të historisë së Shqipërisë.

Panorama

Zjarr Tv Ad