Del raporti i rëndë, 200 gjyqtarë e prokurorë të lidhur me krimin, ngecin në vetting

0
208
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Një numër prej 200 gjyqtarësh e prokurorësh shqiptarë nuk e kalojnë vettingun për shkak të lidhjeve dhe konkakteve që kanë me elementë kriminalë.

Raporti i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar është publikuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, bazuar në informacionet e marra nga DSIK.

Deklarata e KSHH:
Në datën 5 Shkurt 2018, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale me kërkesë të KShH-së, ka dhënë vendim për tre organet ndihmëse të vettingut, ku dy prej tyre, përkatësisht për Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) dhe Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) urdhërohen të vendosin në dispozicionin e KShH-së informacionin e kërkuar statistikor. DSIK ka ankimuar në Gjykatën Administrative te Shkallës së Parë Tiranë, vendimin e Komisionerit, ku KShH ka ndërhyrë si Person i Tretë në këtë proces. Në dt. 18.06.2018, Gjykata ka vendosur rrëzimin e Kërkesë-padisë së DSIK duke e lënë në fuqi vendimin e Komisionerit.

KShH përshëndet vendimin e Gjykatës Administrative të Tiranës si dhe nismën e DSIK për të zbatuar këtë vendim. Pavarësisht vonesës në zbatimin e këtij vendimi, informacioni i vendosur së fundmi në dispozicion nga DSIK ka aktualitet dhe rrjedhimisht interes për publikun. Me shkresë zyrtare, DSIK informon se ka dalë në konkluzionin për papërshtatshmëri për vijimin e detyrës për 200 subjekte rivlerësimi nga 800 në total. Kontaktet e papërshtatshme të evidentuara për këto 200 subjekte janë në lidhje me shkaqe të tilla si për krimin e organizuar, korrupsionin, në formën e një takimi, komunikimi elektronik apo çfarëdolloj mënyre tjetër takimi të qëllimshëm që nuk është na pajtim me ushtrimin e detyrës nga subjekti i rivlerësimit. Asnjë subjekt i konstatuar me kontakte të papërshtatshme nuk është vlerësuar si i përshtatshëm nga ana e DSIK për vazhdimin e detyrës.

KShH dëshiron të saktësojë se të dhënat e ofruara nga organet ndihmëse, duke përfshirë ato të DSIK-së nuk janë të detyrueshme për institucionet e rivlerësimit . Këto të fundit, në përmbushjen e misionit të tyre kushtetues, kryejnë një proces të mirëfilltë kontrolli dhe vlerësimi dhe nuk bazohen dhe as janë të detyruara nga përfundimet e paraqitura atyre nga organet e tjera ndihmëse. Në të gjitha rastet, autoriteti vendimmarrës mbetet tek institucionet e rivlerësimit të krijuara për këtë qëllim në përputhje me dispozitat e Kushtetutës, si organe gjyqësore të pavarura dhe të paanshme, të cilat gëzojnë të drejtën për të kryer hetime të mëtejshme në kuadër të vendimmarrjes përfundimtare (referuar vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nr. 2/2017 dhe nr. 78/2017).

Në përfundim, KShH e shikon të nevojshme të theksojë se zbatimi i ligjit për të drejtën e informimit në kuadër të vettingut, në radhë të parë ka interes publik, i shërben transparencës dhe kontribuon në rritjen e besimit të publikut.
Kjo nismë është ndërmarrë me mbështetje të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, në kuadër të nismës “Për të rritur transparencën, gjithëpërfshirjen dhe përgjegjshmërinë në procesin e Vettingut”.

Zjarr Tv Ad