Dëmshpërblim për familjarët e viktimave të “21 Janarit”, si do bëhet ndarja e parave

0
1235
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Familjarët e viktimave të “21 Janarit” do të marrin shpërblimin 160 milionë lekë së bashku, si dëmshpërblim për humbjen e katër të dashurve të tyre, të vrarë në protestën e vitit 2011 përpara kryeministrisë.

Tre ditë para përvjetorit të gjashtë, qeveria vendosi dje të akordojë një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2017 për Ministrinë e Punëve të Brendshme nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për shlyerjen e detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i vendimeve gjyqësore për viktimat e ngjarjes së 21 janarit 2011.

Në këtë mënyrë, Garda e Republikës e paditur nga familjarët e viktimave do të shlyejë detyrimet e vendimeve gjyqësore të shpallura vitin e shkuar, për tre palë familjarë.

Padia

Familjet e Hekuran Dedës, Aleks Nikës, Ziver Veizit dhe Faik Myrtos, të vrarë në protestën e opozitës në 21 janar të 6 viteve më parë, pasi u qëlluan për vdekje nga Garda e Republikës, depozituan padi pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ku kërkonin dëmshpërblim për humbjen e familjarëve të tij.

Në vitin 2014 përmes avokatëve të tyre, familjarët e viktimave të “21 Janarit” depozituan shtatë padi në ngarkim të Gardës së Republikës. Ata kërkuan dëmshpërblim moral dhe pasuror. E vetmja familje e cila ka depozituar vetëm një padi, është ajo e Aleks Nikës, ku dëmshpërblim kanë kërkuar vetëm bashkëshortja dhe fëmijët.

Familjarët e tre viktimave të tjera, Ziver Veizit, Hekuran Dedës dhe Faik Myrtajt kanë depozituar nga dy padi: një me kërkues fëmijët dhe bashkëshortet dhe një tjetër ku palë paditëse janë motrat dhe vëllezërit. Mësohet se Gjykatave Administrative ka dhënë vitin e shkuar vetëm katër vendime, nga 7 padi. Tre të tjera janë në proces. Për katër vendimet e shpallura Garda e Republikës nuk ka apeluar çështjen, duke i lënë në fuqi.

Procesi

Burime pranë kryeministrisë, sqarojnë se vendimi i djeshëm për të shpërndarë fondin prej 160 milionë lekësh është vetëm për dëmshpërblimin e tre familjeve të cilëve u ka mbaruar gjykimi.

Gjatë korrikut të vitit të shkuar Gjykata Administrative ka dhënë vetëm një vendim për familjen e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizajt, konkretisht për fëmijët dhe bashkëshortët. Familjarët e vetëm që i kanë përfunduar të dy paditë, si atë të bashkëshortëve dhe fëmijëve, e po ashtu edhe atë të motrave dhe vëllezërve është ajo e Hekuran Dedës, vendime të shpallura në dhjetor 2016. Padia e vetme e Aleks Nikës e bërë nga gruaja dhe fëmijët është akoma në proces gjyqësor.

Paratë

Burime pranë Këshillit të Ministrave saktësojnë se bazuar në vendimet gjyqësore të Gjykatës Administrative të Tiranës, sasinë më të madhe të parave, Garda e Republikës do ta paguajë për të afërmit e Hekuran Dedës, plot 94 milionë lekë të rinj, të ndarë në 20 milionë për gruan dhe fëmijët, dhe 74 milionë të tjera për motrat dhe vëllezërit e Dedës. Të dytët për nga sasia e shpërblimit janë familjarët e Faik Myrtaj. Ata do të marrin nga Garda e Republikës gati rreth 40 milionë lekë. 22 milionë lekë të rinj ka përfituar gruaja dhe fëmijët e Ziver Veizit, shkruan ‘shqiptarja.com’. Për familjarët e Aleks Nikës çështja gjyqësore është ende në proces, e me gjasë, nisur nga procesi i familjarëve të tjerë, edhe kjo familje do të marrë shpërblim.

Shpërblimet

Gruaja dhe fëmijët e Hekuran Dedës 20 milionë lekë

Motrat dhe vëllezërit e Hekuran Dedës 74 milionë lekë

Gruaja dhe fëmijët e Faik Myrtajt 40 milionë lekë

Motrat dhe vëllezërit e Faik Myrtajt Ende në proces gjyqësor

Gruaja dhe fëmijët e Ziver Veizit 22 milionë lekë

Motrat dhe vëllezërit e Ziver Veizit Ende në proces gjyqësor

Gruaja dhe fëmijët e Aleks Nikës Ende në proces gjyqësor

Zjarr Tv Ad