Emri, protestohet në Selanik, nesër në Athinë

0
136

Mijëra protestues në Selanik të Greqisë i paraprinë protestës së planifikuar për ditën e nesërme në Athinë. Protestuesit bllokuan për 2 orë rrugët e qytetit duke kërkuar që propozimi për zgjidhjen e kontestit me emrin të mos përmbajë termin “Maqedonia”. Protestues kishin ardhur edhe nga qytetet tjera. Për ditën e nesërme në Athinë në sheshin Sintagma është paraparë protesta më e madhe pas protestës së viteve 90 për të njëjtën çështje. Mbi 1500 autobusë janë rezervuar për të sjellë protestues nga provinca të ndryshme. Ajo do të mbështetet edhe nga partitë opozitare, sa kaq prezencën e tyre e kanë konfirmuar opozitarja Demokracia e Re dhe lideri i saj Kiriakos Micotakis. Në protestë pritet të marrë pjesë edhe partia në koalicionin qeveritar “Grekët e pavarur” dhe krerët e Kishës. Ndërkohë grupi anarkist Ruvikonas ka paralajmëruar se “të dielën në shesh do të derdhet gjaku”. Prokurori i Gjykatës Supreme, pas këtij qëndrimi menjëherë ka nisur hetimet. Ndërkohë Autoritetet në Greqi janë duke hetuar dërguesin e mundshëm të letrës kërcënuese ndaj shefit të diplomacisë greke Nikos Kotzias, në të cilën ditë më parë thuhej “kemi tre plumba për ty”. Qeveria greke zyrtarisht ka konfirmuar se Kotzias gjatë javës ka pasur kërcënime edhe përmes telefonit. Ministri i Mbrojtës Civile, Nikos Toskas kërcënimet ndaj shefit të diplomacisë i ka vlerësuar si rrezik serioz. Nga ana tjetër ambasadori amerikan në Athinë, Xhefri Pajet ka komentuar zhvillimet aktuale në Greqi. Në një intervistë për Skai TV, Pajet ka shprehur mbështetjen e SHBA-ve ndaj ndërmjetësuesit Nimic, duke mos dhënë koment mbi planin B të Bashkësisë Ndërkombëtare në rast se dështojnë përpjekjet për marrëveshje. “Përgjigjet hipotetike ndaj pyetjeve të tilla nuk janë ndihmëse të procesit i cili është në vijim. Dua të theksoj se jemi fuqishëm në mbështetje të Metju Nimic. Isha të hënën në Selanik dhe shumë gjëra dëgjova më vonë. Greqia ka një demokraci e cila funksionon mirë. Qeveritë tona besojnë se vendet e Ballkanit Perëndimorë duhet të vazhdojnë procesin Euro-Atlantik. Ne besojmë se këto vende duhet të jenë pjesë e BE-së. Të gjitha këto vende, kuptohet edhe me zgjedhjen e tyre, duhet të jenë pjesë e NATO-s”, deklaroi Xhefri Pajet, ambasador i SHBA-ve në Greqi. Të enjten që lamë pas, ndërmjetësuesi i OKB-së, Metju Nimic qëndroi në Maqedoni ku edhe takoi krerët shtetërore dhe aktorët politik. Nimic duke mos komentuar propozimin konkret për emër të mundshëm, vlerësoi se lëshimi i kësaj mundësie për arritje të dialogut mund të jetë tragjike për rajonin. Nimic theksoi se nga pala greke nuk ka vërejtur ambicieje për cenimin e identitetit të popullit që jeton në Maqedoni.