ERDOGAN: DO TË HEQ GJENDJEN E EMERGJENCËS NË TË GJITHË VENDIN

0
204

Presidenti i Turqisë, i sapokonfirmuar në zgjedhjet e fundit, Rexhep Tajip Erdogan dhe partnerët në aleancën qeveritare kanë rënë dakord që të mos zgjasin gjendjen e emergjencës pasi periudha 3-mujore të përfundojë në Korrik. Kjo është bërë e ditur nga mediat proqeveritare në Turqi. Gjendja e emergjencës ka qenë në fuqi që prej përpjekjes së dështuar për grusht shteti në korrik të 2016-s dhe është zgjatur çdo 3 muaj. Erdogan premtoi këtë muaj se do ta hiqte nëse do të fitonte në zgjedhjet e 24 Qershorit. Dhe në këtë mënyrë ka filluar me mbajtjen e premtimeve. Erdogan fitoi me 53% të votave të dielën në zgjedhjet presidenciale, duke zgjatur sundimin e tij deri në 2023, por tashmë me ndërrimin e fuqive ekzekutive që qytetarët e mbështetën në një referendum vitin e kaluar. Erdogan dhe partneri i tij i aleancës, udhëheqësi kombëtar i Partisë Nacionaliste MHP, Devlet Bahceli, mbajtën një takim. Burimet kanë thënë se Erdogan mund të japë disa poste të kabinetit për MHP, duke shpërblyer mbështetjen e tyre për Partinë e tij AK në parlament. “Në bisedime u arrit marrëveshje për të mos zgjatur gjendjen e emergjencës”, shkruan gazeta Sabah pa dhënë detaje. Kjo media nuk specifikonte burimin e raportit të saj. Gjendja e jashtëzakonshme apo e emergjencës i jep mundësi presidentit dhe qeverisë të anashkalojnë parlamentin, duke miratuar ligje të reja dhe u lejon atyre të pezullojnë të drejtat dhe liritë. Kritikët thonë se Erdogan ka përdorur gjendjen e jashtëzakonshme si një pretekst për të shuar polemikat e qytetarëve ndaj pushtetit. Ndërsa qeveria e Ankarasë pretendonte se masat janë të nevojshme për të shmangur kërcënimet e sigurisë.