Flet një nga mjekët e dorëhequr: S’ka ilaçe, pacientët presin me ditë të tëra në stola

0
61

Ditën e djeshme, 8 mjekë të Urgjencës Qendrore në QSUT kanë njoftuar se do të japin dorëheqjen për shkak të kushteve të rënda të punës.

Në shkresën që i kanë dërguar drejtorit të përgjithshëm të kësaj qendre spitalore, Enkelejd Joti, mjekët kanë listuar të gjitha arsyet që i kanë çuar në marrjen e këtij vendimi.

“Kushtet e punës së stafit mjekësor nuk plotësohen bazuar në kontratën punëdhënës-punëmarrës. Mbingarkesa me të sëmurë të shtruar që qëndrojnë mbi 48 orë në Urgjencë për mungesë vendesh në pavionet e tjera e moszbatimi i urdhrave të nxjerrë nga drejtoria, kemi marrë vendim që të tërhiqemi nga pozicioni ynë i punës, duke lajmëruar 30 ditë përpara”, – citohet në shkresën dërguar edhe Presidentit, kryeministrit e ministres së Shëndetësisë.

Në një intervistë ekskluzive për“Gazeta Shqiptare”, Petrit Vargu, një prej mjekëve të Urgjencës që ka firmosur dorëheqjen tregon disa prej problematikave kryesore me të cilat ata përballen përditë në vendin e punës.

Gjithashtu, ai thekson se shefi i Urgjencës nuk ka të drejtë të flasë në emër të mjekëve që firmosën peticionin e bën me dije se këta të fundit nuk kanë qenë prezent në takimin që zhvilloi zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli pas letrës së dorëheqjes kolektive.

Vargu më tej thotë se nëse situata nuk përmirësohet, do të heqë dorë nga pozicioni i punës. Respektivisht 8 mjekët që kanë dhënë dorëheqjen janë: Petrit Vargu, Elton Calliku, Petrit Gjorgji, Besmir Kocia, Jonida Kito, Eqerem Hasani, Afrim Yzeiraj dhe Etiomena Bracaj.

Cila ishte arsyeja që ju firmosët letrën e dorëheqjes nga QSUT?

Natyrisht e kam firmosur këtë peticion e jam njeriu që kam denoncuar i pari këtë drejtim të gabuar që ka marrë shëndetësia shqiptare. Ne jemi mjekë dhe kemi një kod pune dhe një ndërgjegje. Nëse duam të jemi moskokëçarës, mund të vijmë në punë, mbarojmë 8- orarëshin dhe largohemi në shtëpi. Por mjekët janë ato grupe profesionesh, që kanë një jetëgjatësi më të shkurtër dhe për këtë asnjëri nuk ia di sakrificat mjekut, pavarësisht stresit që kalojmë për jetën e pacientit që na është besuar.

Sa të vështira paraqiten kushtet në të cilat punojnë mjekët e Urgjencës në këtë qendër spitalore?

Kushtet e vështira nuk janë për ne, por për pacientët. Ne nuk jemi si ata që drejtojnë, pasi për ta rëndësi ka që të mos merren vesh problemet nga media e gjithçka shkon fjollë. Por, ne, mjekëve të Urgjencës së QSUT-së na vret ndërgjegjja, sepse çdo ditë që kalon, ka më pak medikamente. Dhomat nga dyshe, kanë kaluar në dhoma katërshe. Na vret ndërgjegjja sesi njerëzit që vijnë në Urgjencë rrinë nëpër stola e presin me ditë për t’u shtruar në spital. Sipas shifrave që kam siguruar nga kolegët, janë mbi 60 kartela që janë në pritje për t’u shtruar e mbas këtyre numrave fshihen jetë njerëzish që presin ndihmë.

Cili është reagimi juaj në lidhje me deklaratën e shefit të Urgjencës?

I vetmi mjek që nuk firmosi peticionin e kanë nxjerrë për të folur në emër të mjekëve që firmosën dhe kjo është qesharake, pasi ai nuk ka të drejtë të flasë.

A ishit të pranishëm gjatë takimit të mjekëve të Urgjencës me zv.ministren e Shëndetësisë, Mira Rakacolli pas publikimit të peticionit?

Unë nuk isha, sepse takimi ishte selektiv. Nuk ishte i pranishëm asnjë nga mjekët që organizuan peticionin.

Cili është reagimi i Drejtorisë së QSUT-së në lidhje me peticionin tuaj?

Që të reagosh, duhet të dish. Në fillim kanë kundërshtuar që ekziston një letër e tillë e më pas kur nuk kishin më se çfarë të thoshin, nxorën variantin sesi ka arritur kjo letër te mediat. Si mund të reagojnë kur pacientët janë nga 5-6 veta në një dhomë në zonën e kuqe dhe nga 4 veta në zonat e tjera. Kjo është antihigjienike, edhe në burg nuk qëndrohet ashtu.

A jeni të kënaqur me pagat dhe a qëndroni jashtë orarit në krye të detyrës?

Jashtë orarit absolutisht jo. Ndërsa në lidhje me pagat mund të them se pagat e mjekëve janë si pagat e gjithë shqiptarëve të tjerë, ne e dimë varfërinë ku ndodhet populli, por nuk kërkojmë luks, kërkojmë dinjitet.

Mendoni se pas peticionit të mjekëve të Urgjencës, do të përmirësohet situata?

Kjo situatë, ashtu siç ka ndodhur shpeshherë, do të përmirësohet në mënyrë artificiale, por nuk ka vizion, nuk ka shpresë që të përmirësohet përfundimisht, pasi mungon strategjia dhe taktikat. Nuk ka asgjë të re, e me “frymën e shenjtë”, asgjë nuk përmirësohet.

A do tërhiqeni nga vendi juaj i punës nëse situata nuk përmirësohet?

Kjo është një zgjedhje individuale, por unë personalisht po.

Marrë nga Hashtag.al