Gjonaj: Të përshpejtohet vettingu për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë

0
128

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka kërkuar përshpejtim të procesit të vettingut për të krijuar sa më shpejt institucionet e reja të drejtësisë.

Ministrja tha se vetëm me ngritjen e KLGJ dhe KLP do të futet në rrjedhën e duhur mirëadministrimi i drejtësisë dhe sistemit gjyqësor.

Gjonaj: Pa mbështetjen sa politike po aq dhe teknike të ambasadorëve të BE, ShBA, Gjermanisë, Austrisë, Holandës etj dizenjimi dhe miratimi i reformës në drejtësi do të ishte tepër i vështirë. Kemi përfunduar një pjesë të mirë të rrugëtimit. Tashmë ndodhemi para sfidave të reja për zbatimin e kësaj reforme. Përpjekjet e shkaktuara nga kundërshtarët e reformës do të mbeten vetëm përpjekje të dështuara dhe vështirësitë e hasura nuk duhet të na frikësojnë.

Procesi i rivlerësimit kalimtar ka prodhuar rezultatet e para të ndjeshme për vetë sistemin dhe qytetarët shqiptarë. Shumë shpejt pritet të përfundojë rivlerësimi i listës prioritare së gjyqtarëve dhe prokurorëve.Ritmi i procesit të vettingut duhet të përshpejtohet nga institucionet e përfshira në këtë proces për të bërë të mundur ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë sa më parë.

Me ngritjen e KLGJ dhe KLP futet në rrjedhën e duhur mirëadministrimi i drejtësisë dhe sistemit gjyqësor. Këto procese nuk mund të përfundohen vetëm dhe nuk duam ti përfundojmë vetëm.

Sfida jonë, tha Gjonaj, ka të bëjë me jetësimin e reformës në drejtësi.

Ministrja theksoi se Qeveria ka jo vetëm vullnetin politik por ka treguar angazhimin konkret në mbështetjen ligjore, financiare dhe infrastrukturore që i është dhënë zbatimit të reformës në drejtësi.