GJYSHI TEPËR, nga Agim Xhafka

0
434
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

GJYSHI TEPËR.

Kur shkova herën e parë në Velçan të Gorës,kisha me vete jorganë,jastëk,batanije,çarçafë. Më këshilloi Lena,drejtoresha e shkollës,një ditë para se të nisesha. Ishte gusht e nga që mësimet nuk kishin nisur ende mberrita nga dreka me autobuzin e Lozhanit. Ishim thuajse krejt trupa mësimore,nja dhjetë mësues. Zbrita dengun në tokë e po shihja anash në se nga fshati kishin dërguar ndonjë mushkë apo jo. Se do ngjiteshim dy male të lartë,nja tre orë më këmbë deri te shkolla ku do nisnim misionin tonë fisnik,siç na u tha nga drejtuesit e rrethit.
-Ka dalë Gjyshi Tepër,- më tha Lena, e tregoi nga dyqani. Ishte një djalosh,ndoshta mosha ime,nja 22-24 vjeç,me dy mushka përdore. Një ngarkuar me fuçi nafte dhe një bosh. Do ishte për mua se vetëm unë isha i ri,të tjerët kishin vite atje e i kishin çuar me kohë dengjet e tyre.
-Gjyshi Tepër,-i thirri Lena.-Hajde,ngarkoji rrobat e mësues Agimit. Ne po ecim para.
Ai hodhi mbi mushkë dengun dhe po e balanconte. Ne ia nisëm ngjitjes së majës së parë. Një pjerrinë për alpinistë. Por e merrnim me kthesa të shumta se ndryshe do na duheshin litarë.
-Pse i thoni Gjyshi Tepër?- pyeta Lenën.-Se ai nuk quhet kështu,apo jo?
-Eshte histori e ngatërruar,-më tha ajo.- E ka emrin Roland. Roland Grabova. Ka qënë mësues në qytet,është me origjinë nga një fshat i Devollit. Por i bënë një anonime sikur gjyshin ia kanë pushkatuar partizanët.
-Vërtet?- dhe m’u mek zëri.
-Sipas këtij jo. I ka gjallë të kater gjysherit. I çoi dhe te komiteti,por nuk ia varën. I ka ngelur letra në dokumente dhe e nisën në Velçan. Pandehu se do punonte mësues,por jo e futën mushkar,bile operativi i zonës nuk e lejon të largohet nga fshati pa i dhënë ai leje. Si gjysëm i internuar,por është djalë flori. Punetor dhe i qeshur.
-Po pse i thoni Gjyshi Tepër?
-Po se i del tepër gjyshi që iu pushkatua. Eshtë i vetmi njeri me pesë gjyshër.
U trondita,mbase dhe nga lodhja m’u mblodh një revoltë në shpirt. O zot,çfarë nuk po dëgjojmë. Ktheva kokën e pashë që Gjyshi Teper ishte në fund të vargut,pas mushkave. Ecte me kokën ulur,mbase mallkonte fatin e tij të zi.
Kaluan ca muaj dhe e harrova atë njeri. Por një mbasdite ishte poshtë ahut para shkollës me nallbanin,Yzeirin,që po i mbathte mushkat. U afrova dhe nisëm nga rromuzet. Unë flija tek Yzeiri dhe kisha mjaft miqësi. Por Gjyshi Tepër më hoqi mënjanë e gati m’u lut:
-Më bëj një anonime,sikur gjyshin e kanë pushkatuar,por para togës ai bërtiti:”Rroftë Partia Komuniste,”
-Jo,nuk bëj anonime unë. Bëj letër tamam për komitetin. Aty të ndihmoj.
-Kam bërë nja 50 copë e askush nuk lëvizi. Nuk ma heqin të pestin gjysh.
U ndamë e pas ca javësh më hipi një dell idioti. Në klasën e tetë u bëra diktim. Në fleta,jo në fletore. Emrin dhe fjalën diktim do e vendosni në fund. Do shkruajmë një copë nga Komisari Memo i Driteroit,i gënjeva.
Dhe u diktova 40 nxënësve:
“Gjyshi i Roland Grabovës,ka qëndruar heroik para togës së pushkatimit. Ai tha,më keni ngatërruar me Nusretin e fshatit përballë,por ju bëni tuajën. Për mua të rrojë Partia Komuniste!”
Mblodha fletët,preva me gërshërë emrat e nxënësve në fund dhe të shtunë,kur zbrita në qytet i futa në një zarf,një pullë sipër,emrin e marrësit Komiteti I Partisë dhe oh,u çlirova. Kaq kisha në dorë. Pas ca javësh u transferova në Tiranë dhe e kisha harruar këtë ndodhi. U deshën të kalonin tre vjet dhe kur po udhëtoja si gazetar nga Gramshi në Korcë,në Lozhan më doli para makinës vetë Gjyshi Tepër. Ngriti dorën ta merrnim.
-Ndale,Guga,ta marrim,-i thashë shoferit.
Hapa derën e BC -së kineze dhe e pyeta:
-Ke marrë leje nga operativi?
-Hahah,kam shpëtuar. Jam mësues tani,në Lozhan sa të hapet ndonjë vend në Korcë.
-Ta zhdukën gjyshin e pestë?- e pyeta.
E futa brenda dhe ndërsa u gëzova isha dhe kurioz.
-Në komitet kishin mbërritur plot letra anonime nga fshati,-ia nisi ai.
-Nja 40? – e pyeta.
-Po.
-Me shkrim kalamajsh?
-Po anonimet me shkrim të tillë bëhen,që mos kuptohen. Po ti nga e di?
-Se i bëra unë me nxënësit e mij. Por vazhdo.
-U ngrit një ekip e shkoi në fshat. Thirrën dhe gjyshërit. Vajtën të katert. Për 5 minuta u sqarua gjithçka. Sikur lindëm të gjithë. Se kalova ca vjet duke berë muhabet vetëm me mushkat.
E ndërsa fliste më ferkonte qafën,isha para në veturë. Si shenjë falenderimi. Tek turizmi nuk na u nda.
-Do darkojmë bashkë,patjetër.
Guga,shoferi,nisi refrenin:
-Shef,mos ja prish popullit.
Gjyshi Tepër shpëtoi nga internimi,por nuk ia doli të hiqte nofkën. Sikur edhe u mësua. I pëlqente kur e therrisni kështu.
-Roland e kam harruar. Dhe e fejuara kështu më thotë,gjyshi im,shpirti im.
Hiqej kështu se ishte fisnik. U trajtua më keq se mushkat e tij,por bardhësia e shpirtit e sundoi,ia mposhti mllefin,i tha shih para e gëzohu…
* * * * * * * *
(Çdo ngjashmëri me njerëz realë është krejt e vertetë. Në se doni emrat e gomerëve të komitetit ua them pa ndrojtje fare.)

GJYSHI TEPËR.Kur shkova herën e parë në Velçan të Gorës,kisha me vete jorganë,jastëk,batanije,çarçafë. Më këshilloi…

Gepostet von Agim Xhafka am Mittwoch, 8. November 2017

Zjarr Tv Ad