I grabitën 10 milionë lekë në banesë biznesmenit kur po festonte fejesën e djalit

0
681

Disa persona kane arritur te futen të armatosur e të maskuar në banesën e biznesmenit, duke grabitur nga kasaforta 10 milionë lekë.

Ngjarja ndodhi dje, rreth orës 01:45, në fshatin Kamenicë. Pronari i shtëpisë, Nizami Bezati, po festonte në një nga lokalet e zonës fejesën e djalit, kur në banesën e tij kanë shkuar autorët dhe kanë marrë shumën e parave. Sipas të dhënave, Bezati kishte lënë dy shokë të djalit të tij që t’i ruanin banesën.

Këta të fundit e kanë telefonuar pas mesnate se dy persona me armë e maska i kishin lidhur e dhunuar, dhe më pas kishin marrë paratë. Sipas dëshmisë së dhënë prej të rinjve, rreth orës 01:45, dy persona të maskuar, njëri prej të cilëve me armë zjarri dhe tjetri me levë, kanë hyrë në shtëpi dhe i kanë zënë ata në befasi.

Fillimisht, autorët i kanë goditur dhe më tej i kanë lidhur. Më pas, ata kanë shkuar në dhomën e gjumit ku ndodhej kasaforta dhe kanë arritur ta hapin duke marrë 10 milionë lekë të vjetër.

Perveç parave, autorët kanë marrë edhe disa dokumente dhe më pas janë larguar duke i lënë të lidhur dy të rinjtë, që i zoti i shtëpisë i kishte lënë t’i ruanin banesën.

Pasi janë përpjekur për disa minuta, ata kanë arritur të lirohen dhe i kanë telefonuar Bezatit. Pronari i banesës, Nizami Bezati, apelon për zbardhjen e ngjarjes së rëndë që i ndodhi pikërisht në ditën e këtij gëzimi familjar.