Hetimet/ Vrasja e komisar Cukut, ja çfarë iu zbulua autorit

0
1383
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Hetimet për vrasjen e ish- drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku vijojnë, ndërsa mësohet se Ekspertët e Laboratorit të Kriminalistikës kanë arritur të zbulojnë ADN-në e autorit.

Burime nga grupi hetimor thanë se kjo është prova më e rëndësishme që mund të çojë drejt zbardhjes së vrasjes së Cukut, dhe ende nuk ka një të dyshuar konkret për ngjarjen.

 

Menjëherë pas ndërtimit të profilit të plotë gjenetik, ka nisur krahasimi me profilet që ndodheshin në sistemin e Laboratorit të Kriminalistikës. Megjithatë, deri tani nuk ka rezultuar asnjë përputhje.
Burimet thonë se pikërisht në këtë pikë kanë ngecur hetimet, pasi pa ndonjë të dyshuar konkret, edhe ADN-ja nuk mund të ndihmojë grupin hetimor. Edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj e gjysmë nga vrasja e 8 prillit, në Rrugën e Kosovarëve, në Tiranë, grupi hetimor nuk ka përjashtuar asnjë prej pistave të ngritura që prej ditëve të para kur ndodhi krimi i rëndë.
Hetimet janë shtrirë në të gjitha këto pista, duke u përqendruar kryesisht te një vrasje për shkak të detyrës që ka mbajtur Artan Cuku në struktura të ndryshme të Policisë së Shtetit.
Oficerët e Policisë janë thuajse të bindur se atentatori i Cukut është i paguar dhe kjo i bën edhe më të vështira hetimet dhe zbeh vlefshmërinë si provë të ADN-së së zbuluar. Të paktën derisa në prova dytësore të arrihet shoqërimi apo ndalimi i një personi të dyshuar, në mënyrë që të bëhet krahasimi i profilit gjenetik.
PROVAT
Profili gjenetik i autorit të vrasjes së Artan Cukut është arritur të ndërtohet nga rrobat që ai mbante veshur në momentin e krimit. Këto rroba ishin sekuestruar nga Policia vetëm pak kohë pas vrasjes, të hedhura në një kazan plehrash, pranë Postës nr.8, në zonën e Tiranës së Re.
Burimet thanë se është konfirmuar nga disa kamera sigurie se bëhet fjalë për rrobat e autorit të krimit. Ai është filmuar nga kamerat e një biznesi privat, edhe në momentin kur hidhte rrobat në vendin ku u gjetën. Burimet thanë se gjatë ekzaminimit të tyre, janë përdorur për ndërtimin e ADN-së mbetjet e djersës dhe disa fije floku.
Në vendin ku mbeti i vrarë ish-drejtuesi i Policisë Artan Cuku, në hyrjen e pallatit ku banonte, ekspertët kriminalistë fiksuan gjurmë të ndryshme gishtërinjsh, në mure e ashensor, mes të cilave hetuesit besojnë se mund të jenë dhe gjurmët e autorit.
Në këtë përfundim është arritur pas verifikimit të pamjeve të ndryshme filmike, të fiksuara nga disa kamera sigurie, ku autori shfaqet para dhe pas krimit. Burime nga grupi hetimor thanë se janë marrë të gjitha gjurmët e gishtave në vendngjarje, të cilat fillimisht janë krahasuar me ato të banorëve të pallatit, të Artan Cukut e bashkëshortes së tij.

Zjarr Tv Ad