“I pavlerë në këtë botë, po nuk pate dhe armiq”/ Poezia e Timo Fllokos që vë në provë miqtë e vërtetë

0
221

Timo Flloko është një nga personalitetet më të vlerësuar të kinematografisë shqiptare dhe skenës teatrore.

Mbi 40 role në kinematografi, mund të numërohen, ku veçantia e personazheve të interpretuara e diferencojnë artistin.

Veç anës artistike dhe talentit të spikatur për aktrim, Timo Flloko është edhe një nga profesorët më të respektuar të Fakultetit të Artit Skenik.

Timo Flloko është aktor, regjizor, poet dhe autor i shumë teksteve të këngëve nëpër festivale të ndryshme.

Poezia e tij është shpirtërore dhe metafizike dhe jo më kot, ai mbetet ndër autorët më të shpërndarë tashmë në rrjetet sociale.

E midis tyre, shumë shpërndajnë poezinë “Miqtë”, ku duket se e gjejnë veten “të përfshirë”.

Për të gjithë lexuesit tanë, sjellim sot këtë poezi dhe urojmë që të (mos) kenë sa më shumë miq të tillë

MIQTË  –  TIMO FLLOKO

Kot e ke, më tha ndërgjegja,

Njerëzit s’janë përherë miq.

Ti pandeh se ata të duan,

Por në fakt i ke “armiq”!

 

I them vetes, pse, s’kanë shkak,

S’kam pushtet, as ofiq…

Nuk urrej askënd në jetë,

S’ndaj të mirë dhe të liq!

 

S’ka të bëjë, ata s’të duan,

Afërmendsh i ke “miq”!

(Dashuri, ti s’fal, thotë Krishti,

Po s’i deshe dhe armiqtë!)

 

S’është çudi në këtë jetë,

Midis miqsh ka dhe “armiq”.

Helm i egos i ngërthen…

Dhe i bën, oh sa të liq!

 

Mos u lig, mos u mpak,

Thotë vetvetja, je një hiç.

I pavlerë në këtë botë,

Po nuk pate dhe “armiq”!