“Jam me kancer në mushkëri, pjek misra për të blerë ilaçet”, rrëfimi prekës i Bajames: Në spitale më sorollasin për skanerin

0
241
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Prej 28 vitesh Bajame Zelia ka punuar si sanitare në shërbimin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Pas një jetë të tërë punë në shërbim të të tjerëve, ajo priti t’i gëzohej pensionit, qetësisë dhe t’i përkushtohej nipërve e mbesave.

Por jeta është plot me të papritura. Sapo doli në pension 62-vjeçarja mësoi se vuante nga kanceri në mushkëri. Të gjitha shpresat e dëshirat iu shuan dhe për të nisën plot sfida dhe vuajtje të tjera, të cilët sipas 62-vjeçares janë më të vështirat me të cilat është përballur ndonjëherë.

Rreth 9 muaj më parë ajo iu nënshtrua një operacioni në mushkëri për të hequr masën tumorale dhe për fat e përballoi me sukses.

“Kisha 4 muaj që kisha dalë në pension dhe po bëja punët në shtëpi. Në spital ne bënim vizita dhe analiza çdo 6 muaj dhe më dilnin mirë, – thotë gruaja për gazetën Shqip ‘online’. – Duke bërë punët në shtëpi, më binte fshesa nga dora, ndihesh shumë e lodhur, djersija dhe kisha dhimbje në gjoks, doja vetëm ajër.
Një javë më këtë dhimbje të tmerrshme. Shkova u vizitova te Dispanceria. Nga atje më çuan urgjent për të bërë një skaner në Sanatorium. Më shtruan direkt dhe u operova pastaj. Kam qëndruar 1 muaj në spital”, tregon e moshuara.

Sot ajo jeton me mjekime dhe kontrolle të vazhdueshme. 62-vjeçarja tregon se ilaçet i merr falas, por nuk arrin dot të përballojë shpenzimet për kryerjen e ekzaminimeve të tjera, si skaneri. Ajo tregon se është sorollatur disa herë dhe nuk ka rritur dot ta bëjë skanerin.

“Jam operuar në mushkëri nga kanceri. Desha të bëja skanerin, por po më sjellin vërdallë. Shkova të ambulanca e lagjes, por nuk më dhanë rekomandim. Më thanë që shko të ambulanca e madhe (Poliklinika e Specialiteteve numër 3). Isha atje dhe mjekja nuk ma dha rekomandimin për skaner, duke më thënë që shko merre te lagja.

Më kanë thënë për skaner dhe nuk po e bëj dot. Dy herë që shkova kështu ma kanë bërë. Unë nuk kam fuqi, e sëmurë më kancer në gjithë këtë vapë të vij vërdallë nëpër ambulanca e spitale. Në privat nuk e bëj dot se kushton shumë shtrenjtë dhe kam ngel pa e bërë. Me mjekime, me ilaçe jam, nuk kam qenë mirë të them të drejtën”, rrëfen 62-vjeçarja.

Për fat të keq ajo sot nuk po shijon atë pension e shumëpritur, pasi për të përballuar shpenzimet e mëdha detyrohet të shesë misra në rrugë. Kostoja e jetës sipas saj është shumë e lartë dhe sëmundja i ka shtuar edhe më shumë shpenzimet.
Çdo pasdite, në zonën e Treshit në njësinë numër 11 në Tiranë, del Bajamja me të shoqin për të shitur misra.

“Shpenzimet janë të mëdha, pensioni nuk më del për të mbajtur veten dhe jo më fëmijët që i kam të papunë. Burri është pa pension, ndihmë ekonomike nuk na japin. Nuk kam ç’të bëj, dal shes misra këtu në rrugë për të marrë ndonjë lekë”, shprehet 62-vjeçarja

Zjarr Tv Ad