Kapet 11 kg kanabis në “Lancia” në Reç të Shkodrës, tre në pranga

0
703

Një sasi prej 11 kg lëndë narkotike kanabis sativa është sekuestruar nga policia e Shkodrës. Operacioni i koduar “The Wave”, ka çuar në pranga edhe tre persona, ndërsa është sekuestruar edhe një armë gjahu.

Nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Seksioni për Hetimin e Narkotive në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe dhe me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, pas një hetimi të mirëfilltë policor 2 mujor u finalizua me sukses operacioni i koduar “The Wave”, ku u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Lodovik Vonaj, 33 vjeç, banues ne Reç, Shkodër, i dyshuar se ka kryer veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 283/2 e 25 i Kodit Penal.

Lekë Vonaj, 36 vjeç, banues në Reç, Shkodër. I dyshuar se ka kryer veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike në bashkëpunim”, e parashikuar nga neni 283/2 e 25 të Kodit Penal.

Hysni Skënderaj, 58 vjeç, lindur dhe banues në Qafë-Gradë, Malësi e Madhe, i dyshuar se ka kryer veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, parashikuar nga neni 280 i Kodit Penal.

Shtetasit e lartpërmendur u kapën në vendin e quajtur fshati Reç, konkretisht në parkimin e një lokali, ku në bagazhin e automjetit tip Lancia me targë AA 504 CI, në pronësi të Ludovikut, u gjetën dhe u sekuetruan në cilësinë e provës materiale 11 kg lëndë narkotike e dyshuar si cannabis sativa.

Gjithashtu gjatë kontrolleve të ushtruara në banesën e shtetasit Hysni Skënderaj u gjet dhe u sekuestrua një armë gjahu Çifte, të cilën e mbante pa leje.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.