Kroacia vendos ekstradimin e ‘Ballistit’ në Serbi, familjarët: Të ndërhyjë shteti ose do vetëflijohemi

0
1056

Ismail “Ballist” Morina, i njohur për autorësinë e ngritjes së dronit në Beograd më nëntor të vitit 2015, vazhdon të jetë pas hekurave në Kroaci, aty ku qëndron i ndaluar prej afro një muaji. Nga informacionet e fundit ekskluzive që disponon Opinion.al të siguruara nga gazetari Dritan Laci, Morina ka dalë tri ditë më parë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Dubrovnikut, ku togat e zeza kanë vendosur ekstradimin e tij në Serbi, pasi sikundër dihet prej afro dy vitesh në emër të këtij shtetasi ka një urdhër ekstradimi nga shteti serb lidhur mbi ngjarjen e ndeshjes Serbi-Shqipëri ku ngritja e një droni me një baner të mbishkruajtur Autochtonus solli trazira në stadium dhe më pas ndërprerjen e ndeshjes.

Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Dubrovnikut është siguruar edhe nga Opinion.al. Të kontaktuar nga Opinion.al, familjarë të Ballist Morinës janë shprehur se po bëjnë të pamundurën që i afërmi i tyre të mos ekstradohet dhe për këtë qëllim vendimin e Shkallës së Parë do ta apelojnë më tej. Pranë Ballist Morinës në këto momente ndodhet bashkëshortja e tij italiane, me profesion avokate, e cila edhe pse shtatzënë nuk e ka braktisur të shoqin në këto momente të vështira për të.

Xhevahir Morina, i vëllai i Ballist Morinës, në kontakt me Opinion.al është shprehur se nëna e tyre ka qenë këto ditë në Tiranë, ku ka pasur takime me zyrtarë të lartë, duke specifikuar përfaqësues pranë Presidentit Ilir Meta dhe Ministrit të Brendshëm teknik Dritan Demiraj, por ende nuk kanë marrë një sinjal të qartë ndihmese për të afërmin e tyre që rrezikon që nga Heroi i Beogradit tani të jetë i Burgosuri i Beogradit, nëse shteti kroat vendos ekstradimin e tij në Serbi. Po kështu Xhevahiri është shprehur se nëse Ballist Morina ekstradohet ai do të ndërrmarrë aktin ekstrem të vetëflijimit. Koha për të dërguar në Apelim vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë është e pakët për Ismail Morinën. Ai duhet ta bëjë Apelimin brenda tri ditësh nga dita e sotme/ Dritan Laci/ Opinion.al

Më poshtë faksimile e vendimit të Shkallës së Parë së Gjykatës së Dubrovnikut që pranon kërkesën e palës serbe për ekstradimin e Ismail Morinës në Serbi për gjykim:

VINI RE: Ky shkrim është pronësi intelektuale e portalit Opinion.al