Largohet nga gara kandidatja e PS-së në Kavajë, Silvana Daja

0
362

Kryetari i PS-së së Kavajës Gentian Daja pak ditë më parë dha dorëheqjen nga detyra e tij politike, për shkak të kandidimit të bashkëshortes për postin e kryebashkiakes së Kavajës.

Por sot bashkëshortja e tij Silvana përmes një sqarimi në rrjetet sociale heq dorë nga kandidimi për kryebashkiake në Kavajë me argumentet se nuk mund të përballojë baltën dhe akuzat që po hidhen ndaj saj.
“Zhurma e ngritur, kaloi çdo imagjinatë dhe parashikim, duke sulmuar bashkëshortin tim, i cili për mua vlen më shumë se një karrige” thotë Silvana Daja.

Deklarata e Silvana Dajës:
Miq, gjatë ditëve të fundit kam parë tymnajën e madhe të krijuar mbi kandidimin tim së pozicionin e Kryetares se Bashkisë së Kavajës, qyteti ku kam lindur, ku kam ndërtuar familjen dhe ku do kaloj jetën. Pavarësisht se në jetën time nuk i kam bërë keq asnjë mize dhe do doja të jepja më të mirën nga vetja në këtë proces, zhurma e ngritur kaloi çdo imagjinatë dhe parashikim duke sulmuar bashkëshortin tim i cili për mua vlen më shumë se një karrige.
Ndaj, nisur nga molla e sherrit, që Kavaja e vogël por e bukur ka shkaktuar në politikën e madhe, me keqardhje dua të heq dorë nga ky kandidim dhe të tregoj tolerancën që më karakterizuar gjithë jetën me qëllim që asnjëherë mos jem bllokuese e fateve të askujt.
Një falenderim për gjithë qytetarët të cilët pavarësisht kohës së shkurtër, më kanë mbështetur dhe kanë qënë të gatshëm të bëjnë këtë udhëtim me mua. Gjithashtu falenderoj çdo socialist dhe socialiste që ka qënë përkrahës i emrit tim.
Zotohem se si qytetare do kontribuoj për kryetarin e rradhës sepse dua me shpirt që Kavajën ta shoh vetëm në ditë të mira.
Me respekt SILVA DAJA