MACRON TAKOHET ME PAPËN NË VATIKAN

0
141

Rreth 50 minuta ka zgjatur takimi privat mes Papa Franceskut dhe Presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili vizitoi atin e shenjtë në Vatikan. Ata shkëmbyen një përshëndetje të ngrohtë dhe disa batuta përpara se të fillonin takimin privat në sallën e Biblotekës. Mësohet se çështja e emigracionit ishte ndër tematikat kryesore të bisedës së tyre. Për këtë, një zëdhënës i qeverisë së Francës, njoftoi se do të duhet një zgjidhje nga Bashkimi Europian. Në përfundim të takimit, Ati i Shenjtë i dhuroi presidentit francez një medallion dhe theksoi: “Është një medalje e realizuar nga një artist roman i shekullit të kaluar. Në të ka të gdhendur San Martinon. Dëshiroj të nënvizoj thirrjen time për të gjithë qeveritarët që të ndihmojnë të varfërit. Të gjithë jemi të varfër”. Gjithashtu Papa i ka dhuruar Macron dhe disa libra. Të njëjtën dhuratë ka pasur edhe presidenti francez për Atin e Shenjtë. Përpara mbërritjes në Vatikan, Macron kishte takuar dhe përfaqësues të një organizate me seli në Romë që ndihmon të varfërit në të gjithë botën. “Presidenti Macron ka përmendur korridorët humanitarë si një model i politikës së emigracionit të ligjshëm, veçanërisht për personat që kanë nevojë për mbrojtje humanitare”, u shpreh kreu i organizatës, duke nënvizuar se Macron ka shprehur vullnet për të zgjidhur problemin e emigracionit në nivel europian. Kreut të shtetit francez i ka ardhur një replikë edhe nga ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini. “Gjendet për vizitë në Romë xhentëllmeni Macron, mes siguri do të jetë në gjendje të presë të gjithë ata që arratisen. Ai është i mirë, nuk është si ne”, u shpreh ai duke ironizuar. Gjithashtu kërcënoi se nuk do të lejojë zbarkimin e emigrantëve në portet italiane.