MERKEL PRITI NETANYAHUN: SË BASHKU KUNDËR IRANIT, POR JO PAKTIT BËRTHAMOR

0
258

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se u pajtua me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, se aktivitetet e Iranit në Lindjen e Mesme paraqesin shqetësim për sigurinë e Izraelit. “Pajtohemi se ndikimi rajonal i Iranit është shqetësues, sidomos për sigurinë e Izraelit”, tha Merkel në një konferencë për media me Netanyahun, në Berlin. Netanyahu, pas Gjermanisë, do të vizitojë edhe Francën dhe Britaninë, në përpjekje për të gjetur mbështetje për ndryshimin e marrëveshjes bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore dhe për detyrimin e forcave iraniane që të largohen nga Siria fqinje. Po ashtu të hënën, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore nisi një takim katërditësh në Vjenë, në kohën e pasigurive për fatin e marrëveshjes bërthamore, pas tërheqjes së SHBA-së. Me marrëveshjen e vitit 2015, midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, Republika Islamike është pajtuar të frenojë programin e saj bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare. Presidenti amerikan, Donald Trump, është tërhequr nga marrëveshja muajin e kaluar, duke thënë se Irani e ka shkelur “frymën” e saj. Pesë nënshkrueset e tjera të marrëveshjes: Britania, Franca, Rusia, Kina dhe Gjermania kanë thënë se mbeten të përkushtuara ndaj marrëveshjes. Irani, tash për tash, është duke respektuar marrëveshjen po ashtu.