Ministri i Jashtëm koreano-verior, vizitë surprizë në Suedi

0
211
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut ndodhet në Suedi për një vizitë surprizë, para një takimi të mundshëm mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit koreano-verior, Kim Jong-un. Peniani tha se udhëtimi i Ri Yong Ho kishte në fokus marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet e interesit të përbashkët. Suedia ka në fakt një histori të gjatë ndërmjetësimi mes Uashingtonit dhe Penianit. Ndaj, vizita ka ndezur spekulimet se mund të jetë pjesë e përgatitjeve për takimin SHBA-Kore e Veriut. Javën e shkuar, Donald Trump pranoi një ftesë për bisedime direkte me Kim Jong-unin, një njoftim i papritur ky nga dy liderë që kanë shkëmbyer kërcënime dhe fyerje për muaj të tërë. Nuk ka pasur ndërkohë asnjë koment nga Koreja e Veriut që pasi ftesa u dorëzua përmes zyrtarëve koreano-jugorë në Uashington. Kryeministri suedez, Stefan Lofven, tha për mediat vendase se nëse aktorët kryesorë duan që Suedia të luajë një rol në këtë çështje, ai është i gatshëm ta bëjë këtë. “Ne jemi një vend që ushtarakisht nuk jemi të pozicionuar dhe kemi një prezencë të hershme në Korenë e Veriut dhe me besimin që gëzojmë ne mendojmë se mund të luajmë një rol. Por, duhet të jenë aktorët kryesorë ata që duhet të vendosin se çfarë roli Suedia do të luajë”, deklaroi Lofven. SHBA tha se është në dijeni për takimin në Stokholm, por nuk e di nëse ai ka ndonjë lidhje me bisedimet e mundshme SHBA-Kore e Veriut. Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit tha se SHBA pret të marrë nga Peniani një deklaratë zyrtare mbi takimin e planifikuar. Asnjë president amerikan në detyrë nuk është takuar ndonjëherë me një lider koreano-verior.

Zjarr Tv Ad