OKB, shtyhet votimi i rezolutës për armëpushim në Siri

0
205
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka hasur sërish vështirësi në miratimin e një rezolute për arritjen e armëpushimit në Siri, votim që është shtyrë në kohë për të disatën herë që prej së enjtes. Rusia kërkoi ndryshime në draftin që bën thirrje për një armëpushim 30-ditor, në mënyrë që t’u jepet mundësi ndihmave mjekësore dhe evakuimeve të civilëve. Diplomatët e Perëndimit akuzojnë Rusinë, aleatin kyç të Sirisë, se po përpiqet të fitojë kohë. Franca tha se dështimi për të vepruar shpejt mund të përcaktojë fundin e vet Kombeve të Bashkuara. E gjithë vëmendja është fokusuar mes zemërimit mbi gjendjen e civilëve në enklavën rebele të Ghoutës Lindore. Aktivistët thonë se 462 persona kanë humbur jetën tashmë atje, brenda kësaj jave. Avionët luftarakë sirianë kanë vijuar bombardimet edhe gjatë së premtes, sipas dëshmitarëve në vendngjarje. Douma dhe Hamouriyeh janë mes zonave të goditura më rëndë. Fuqitë perëndimore dyshojnë se Moska po kërkon t’i japë kohë Sirisë për t’i dhënë goditjen përfundimtare forcave që mbrojnë enklavën e kontrolluar prej rebelëve në periferitë e Damaskut. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca kanë bërë thirrje që rezoluta të miratohej pa vonesa. I dërguari special i Kombeve të Bashkuara, Staffan de Mistura tha se paqja duhej arritur urgjentisht, e rrjedhimisht të lejohej edhe qasja e pakontestuar e ndihmës në Ghoutën Lindore. Duke komentuar situatën gjatë pasdites së të premtes, presidenti amerikan Donald Trump drejtoi gishtin e fajit vetëm te Siria dhe aleatët kyç të saj, Rusia dhe Irani, për krizën humanitare. “Ajo çfarë kanë bërë këto tri shtete për popullin gjatë kësaj periudhe të fundit e të shkurtër kohe është një fatkeqësi për të ardhur turp”, tha ai, duke folur në krah të kryeministrit australian, Malcolm Turnbull, që ndodhej për vizitë në Uashington.

Zjarr Tv Ad