Proteza ortopedike falas për pacientët në spitalin e Durrësit

0
518

Spitali i Durrësit ofron tashmë, për të gjithë pacientët që kanë nevojë, proteza ortopedike falas. Afro 18 pacientë, kanë përfituar, deri më tani, këtë shërbim pranë këtij spitali, ndërkohë që cilësia e materialeve është e njëjtë me atë që përdoret sot në vendet më të zhvilluara europiane.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ishte dje në spitalin e Durrësit ku takoi njërin prej pacientëve që ka përfituar falas protezën ortopedike, ndërsa diskutoi me mjekët ortopedë dhe drejtuesit e spitalit për ecurinë e këtij procesi.

“Ky spital, këtë vit, ka një buxhet rreth 100 milionë lekë për protezat dhe është pjesë e paketës së madhe prej 1.8 miliardë lekësh që këtë vit do të shpenzohen për protezat në Tiranë dhe në disa spitale rajonale ku shërbimet e ortopedisë funksionojnë”, u shpreh Beqaj.

Kreu i Shëndetësisë, tha se materialet e reja që po përdoren janë një ndihmë e madhe, jo vetëm për pacientët, por edhe për vetë mjekët.

“Spitali i Durrësit ka një skuadër shumë të mirë me 5 ortopedë, të cilët janë në gjendje të bëjnë punë të mirë, dhe tashmë, me protezat që i kanë dhe me pjesën e instrumenteve kirurgjikalë që do të fillojnë të shtohen, besoj brenda verës, mjekët do të mund të japin më të mirën, pacientët do të shërbehen shumë më mirë, por edhe besoj, marrëdhënia pacient-mjek do të jetë më transparente edhe më normale”, deklaroi ministri.

Ndërkohë, Neritan Myderrizi, shef i Shërbimit të Ortopedisë në Spitalin Rajonal të Durrësit, shprehet se është hera e parë që në vendin tonë po përdoren proteza të një cilësie kaq të lartë.

Nga ana e tij, mjeku ortoped pranë spitalit të Durrësit, Redi Hoti, nënvizoi se materialet ndihmojnë në riaftësimin e shpejtë të pacientëve ndërsa i gjithë ky shërbim ofrohet falas për të gjithë ata që kanë nevojë.

“Janë materiale ‘Titani’, dhe që nga shtatori i 2016, të gjithë pacientët me frakturë, janë trajtuar me impiantet prej ‘Titani’, falas. Dhe shërbimi, dhe impiantet, janë pjesë e shërbimit të trajtimit të frakturave falas”, deklaroi mjeku Hoti.