Rama: Në korrik përfundon studimi për Tiranë-Durrës, aks rrugor me pagesë

0
166

Kryeministri Edi Rama foli nga Durrësi për projekte të rëndësishme infrastrukturore që janë pjesë e Paketës së Rindërtimit. Duke u ndalur tek autostrada Tiranë-Durrës, Rama tha se studimi që po kryhet për rindërtimin dhe zgjerimin përfundon në korrik. Por edhe rruga e vjetër për në Durrës, ajo Tiranë-Ndroq-Plepa do të rindërtohet.

“Rrugët kombëtare do të jenë shumë më të mirëmbajtura më në vijimësi. Po Tiranë-Durrës nuk është një rrugë që meriton thjesht mirëmbajtje, po tani ka domosdoshmërinë e një rindërtimi dhe zgjerimi. Për këtë po bëjmë një studim që përfundon rreth mesit të korrikut ku duam të vlerësojmë rindërtimin dhe zgjerimin për të rritur shpejtësinë e kontaktit mes Durrësit dhe Tiranës dhe sigurinë e lëvizjes në aksin ekzistues me pagesë. Ndërkohë rindërtimin dhe pastaj shfrytëzimin pa pagesë të një tjetër aksi të rëndësishëm të degraduar për kaq shumë vite, Tiranë- Ndroq-Plepa që hap prespektivë për zhvillimin e mëtejshëm të agorturizmit ku ka shenja të para dhe peisazhe e potenciale të jashtëzakonshme për agroturizmin”, tha Rama duke përmendur dhe projekte të tjera të rëndësishme si Kashar-Thumanë, Kavajë-Rogozhinë etj.