Rama ne largim tenton te pengoje/minoje qeverine pergatitore te zgjedhjeve

0
798
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Kastriot Islami

Rama i ka të numëruara ditët në krye të qeverisë. Kriza do të kthehet pas pak ditësh në ligjore, pikërisht në momentin kur përfundon data e regjistrimit të partive politike në KQZ. Vendimin për të dhënë dorëheqjen Rama duket e ka marrë por mesa duket me ankthin e një humbjeje të madhe, po përpëlitet në ditët e fundit duke kërkuar të ndikojë sadopak në i) përcaktimin e detyrave dhe kompozimit të qeverisë kujdestare të zgjedhjeve të lira e të ndershme; ii) dhe në caktimin e datës së arsyeshme të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Natyrisht Rama kërkon të ruajë postin e kryeministrit sepse ka edhe disa çështje që duhet të zgjidhë me Metën, më konkretisht

a) mënyrën e daljes në zgjedhje dhe

b) çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Ramën e shqetëson më shumë dhe kryesisht pasiguria e paimagjinueshme për të ruajtur i) lidhjet me individët me rekorde kriminale e përdorimin e tyre për të kërcënuar votuesit;  ii) lidhjet me zotëruesit e parave të pista e të dyshimta të korrupsionit e krimit për të blerë votat dhe iii) mekanizmin e kultivimit të kanabisit e përdorimin e tij për manipulimin e zgjedhjeve. Për këtë aryse Ai i frikësuar në ekstrem dhe në panik është shprehur në takimet me kupolën e ngushtë se largimi i tij nga posti i Kryeministrit është i barabartë me humbjen drastike të zgjedhjeve për shkak se mekanizmi i “fitores” së tyre është i lidhur vetëm me manipulimin e zgjedhjeve përmes veprimit të oligarkëve, kriminelëve dhe kultivuesve të kanabisit e narkotrafikantëve.

Rama e ka të qartë se ai do të largohet nga drejtimi i qeverisë dhe këtë e ka deklaruar në takimet me kupolën e ngushtë si një ngjarje të sigurt që do të ndodhë në ditët në vijim, pra shumë shpejt. Ndërkohë ai iu ka kërkuar atyre mendime sesi mund të shmangej një humbje e madhe në zgjedhje apo si do të ndikonte në rezultatin zgjedhor vajtja në zgjedhje me një qeveri teknike? Çfarë duhej bërë që qeveria teknike të bllokohej apo të mos ishte ndikuese në veprimet e mekanizmit të tyre për manipulimin e zgjedhjeve?

Si do të ndikonte në rezultatin zgjedhor data e zgjedhjeve; pra si do të ishte më efikase për të ruajtur mekanizmin e manipulimit të zgjedhjeve, mbajtja apo shtyrja e datës së zgjedhjeve? Po kompozimi i qeverisë dhe veçanërisht postet e kryeministrit e të ministrit të brendshëm çfarë ndikimi mund të kishin mbi paralizimin e mekanizmit të manipulimit të zgjedhjeve që ka tashmë ngritur Rama me kupolën e tij? Po ndikimi i aleancës me Metën cili do të ishte, ose më konkretisht sa do të thellohej humbja nga dalja më vete në zgjedhjet e ardhshme dhe a do të mund të kompensohej kjo humbje përmes manipulimeve? Këto pikëpyetje e detyrojnë të shtyjë dorëheqjen të cilën e ka vendosur në parim.

Rama ende me sa duket nuk e ka kuptuar se objektivi i opozitës, aleatëve kryesorë të Ramës dhe qytetarëve në protestë janë zgjedhjet e lira e të ndershme, kurse qeveria teknike/kujdestare/e besimit është vetëm një mekanizëm për arritjen e këtij qëllimi. Nëse zgjedhjet nuk do të zhvillohen të lira e të ndershme sepse Rama nuk do të lejojë ngritjen e qeverisë teknike/kujdestare/të besimit apo do ta minojë atë me lloj lloj marifetesh atëhere procesi zgjedhor do të ishte i manipuluar dhe rezultati zgjedhor jolegjitim; në këtë rast vendi do të  përfshihej në trazira dhe shanset e destabilitetit do të ishin të konsiderueshme. Kjo është arsyeja që Rama duhet të ketë të qartë se është në një rrugë pa kthim me tre stacione

a) dorëheqje;

b) pranim i ngritjes së një qeverie që garanton zgjedhje të lira e të ndershme dhe c) pranim i rezultatit zgjedhor. E thënë më shkoqur rruga pa kthim e Ramës është, largimi i tij nga zyra e kryeministrit vetëm pas pak ditësh për ti hapur rrugën zgjedhjeve të ira e të ndershme që do të siguronin largimin e tij përfundimtar nga politika.

Naiviteti dhe mediokriteti i tij shkojnë aq larg sa të alinjohet me këshillat debile për mosshtyrjen e datës së zgjedhjeve duke ruajtur vetëm datën 18 qershor do të mund ti shmangej humbjes së thellë me shpresën se kështu do të mbahej i pa shpartalluar mekanizmi i manipulimit të zgjedhjeve me ‘kriminelët, hajdutët e votave dhe kultivuesit e kanabisit” dhe/ose qeveria kujdestare e zgjedhjeve të lira e të ndershme nuk do të kishte kohë të vepronte. Rama mesa duket në panik e çoroditje të thellë nuk arrin të kuptojë se sa më shumë do të përpiqet për të vonuar krijimin apo minimin e qeverisë kujdestare aq më e thellë do të bëhej kriza, duke u shndërruar nga ligjore e kushtetuese në institucionale, dhe përfunduar në ekonomike e sociale.

Ndonëse shumë vetë mendojnë se Rama po përpëlitet drejt fundit të tij apo disa të tjerë se ai po përpiqet të rezistojë nuk është i përjashtuar edhe opsioni që ai po përgatitet për opsionin e  “moshës së tretë” jashtë politikës. Ky opsion lidhet me izolimin e tij ekstrem për shkak se të gjithë pa përjashtim janë rreshtuar kundër sektit të tij.

Dhe ky rrjesht është shumë i gjatë, opozita e gjitha së bashku, aleatët kryesorë pa asnjë përjashtim, socialistët e ndershëm, madje edhe një pjesë e grupimit Rama që mezi pret të shporrë grupimin tjetër. Është hera e parë në këto 26 vjet që është ngritur një sekt kaq shumë i urryer dhe që ka bashkuar kaq shumë kundërshtarë që mezi presin ta shporrin.

Në këto kushte, Rama, ndonëse normalisht s’mendon asnjëherë për askënd, është detyruar të promovojë para largimit trashëgimtarin e tij, Erjon Veliajn, ish-administratorin  e Mjaft e G99, i cili është projektuar për këtë funksion që në momentin e kandidimit për Bashkinë e Tiranës, madje duke i pastruar rrugën nga konkurrentët e tjerë.  Por Ramën edhe ky opsion e mundon ndonëse jo rrallë mendon se “pas tij u bëftë kiameti” sepse e ka të qartë që pas këtij largimit të tij Rilindja do të shpërbëhet.

Zjarr Tv Ad