Rama-opozitës: Nuk e gjeni në Jeruzalem shpëtimin

0
318

Për kryeministrin Rama qëndrimi i opozitës për votën Pro rezolutës në OKB që i kërkonte Trump të tërhiqet nga njohja e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit është thjesht një justifikim për të hapur debat në Kuvend. “Keni kërkuar debat për Jeruzalemin, nesër mund të kërkoni debat për Kanalin e Panamasë, pasnesër për rritjen e temperaturave në Polin e Veriut. Do të ishin të gjendje të shpërthenit edhe një luftë nukleare nëse do të kishit një gjë në dorë. Sot e kërkoni shpëtimin në Lindjen e Mesme, nesër mund ta kërkoni diku gjetkë, mjafton të jetë në një pikë të globit larg këtij vendi këtu. Ju keni humbur pushtetin, arsyen dhe tanimë keni humbur gjumin. Politika juaj është jerm, baltë, përpëlitje. Ajo e shkreta reformë në drejtësi që e votuat këtu me të dyja këmbët në një këpucë sepse ai vettingu që nuk e ndalët dot, sepse kjo partia këtu që nuk e mundët dot ju kanë futur në një hall shumë të madh. Ju e dini shumë mirë se sa të jetë kjo parti në qeveri, ju nuk keni asnjë shans që ky vend të mbetet pa drejtësi. Ju e kthyet shtetin shqiptar në një zhele. Ju jeni gati të bëheni çifut, eskimezë, dele e zezë e këtij vendi, vetëm të mos jeni këta që jeni”, u shpreh Rama. Më tej, Rama përmendi edhe çështjen e detit me Greqinë. “Ti Sali e futët detin në govatë, në pushtetin tuaj të marrë fund. Tradhti ndaj atdheut për cenim territorial, sot jeni gati të nxirrni rrugëve, të bëhet se çfarë të bëhet, por deti të na marrtë të gjithëve”, tha Rama. Kryeministri, duke iu drejtuar Partisë Demokratike u shpreh se “frika juaj po ju tërheq zvarrë në një rrugë pa rrugë”. “Frika ju bën aluçinant. Ulërini këtu për Amerikën njësoj si ata fëmijët e filmit “Mëngjese lufte”: O Guri, o Guri, hajde se po na rrahin”. Ju mendoni se po ju dëgjon Guri atje matanë dhe do vijë të ju ndihmojë. Ju nuk e keni me ne dhe nuk jua kemi ne fajin që po thyhen arrat, ato kanë filluar të kërcasin. Nuk e gjeni në Jeruzalem shpëtimin. Streha po shembet se në këtë betejë ne nuk jemi vetëm, por me SHBA dhe BE. Me SHBA, ju nuk u bashkon dot Jeruzalemi sepse ju ndan drejtësia”, tha Rama. Rama vazhdoi t’i drejtohet Berishës, duke e pyetur se pse PD nuk voton organet e reja të drejtësisë. “Pse nuk e votoni KLGJ dhe KLP? Hajdeni bëhuni bashkë me ne për Reformën në Drejtësi, por ju nuk keni si votoni sepse nuk mund të votoni me duart tuaja që në fund të një procesi mund t’u lidhë duart, keni fshehur dhe mbuluar shumë. Po ju bërtisni sa të doni, KLGJ dhe KLP do të ngrihen sot dhe mbaron filmi me gogla, ne do të votojmë ju jo, dhe ata që kanë dalë nga goglat do të jenë organet e reja”, tha Rama.