Roland Luçi sulmon De Biazin: Udhë e mbarë të qoftë, Xhan!

0
691

Ish-futbollisti i kombëtares, si dhe ish-trajner i Vllaznisë, Roland Luçi, ka “shfryrë” kundër Xhani De Biazit, pas largimit të këtij të fundit nga drejtimi i kombëtares. Gjithnjë kritik ndaj trajnerit italian, Luçi këtë radhë e kalon masën, duke kritikuar ashpër De Biazin, aq sa e fajëson trajnerin italian për faktin se në Shqipëri e paskan dashur shumë, duke i quajtur njerëzit “turma të harlisura që gërthasin për ty si të ishte Mesia”. Opinion personal, gjithsesi, secili ka të drejtën e vet…

Dr. Xhani iku…

Mbas tangërllëkut dhe megalomanisë dje në konferencën e shtypit që duhet të ofendonte çdo shqiptar të dinjitetshëm, Xhani i Kryeministrit tonë, doktori i Çilit dhe Qytetari i Nderit i kushedi sa fshatrave shqiptarë, largohet përfundimisht nga drejtimi i Kombëtares sonë!

Rruga e mbarë zotëri, po kurrkund në botë nuk do të gjesh shesh e të bësh përshesh si në Shqipëri, nuk do të gjesh turma të harlisura që gërthasin për ty si të ishte Mesia, nuk do të gjesh Kryeministra e Presidentë që të vrapojnë mbas teje me dekorata në dorë, nuk do të gjesh bashki, qytete e katunde që të të shpallin qytetar nderi, nuk do të gjesh universitete hijerëndë të të gradojnë “doktor të nderuar”, nuk do të gjesh kund federatë që të plotëson tekat qindramijëeuroshe, nuk do të gjesh kund shtet që të japi pasaportën e tij që ti të fshehësh paratë, nuk do të gjesh dot ekip lojtarët e të cilit dhe t’i menaxhosh si një ndërmjetës ordiner.

Është e vërtetë që shkuam në Europian me ty, në Europian ku tashmë shkojnë gjysma e shteteve të Europës dhe ky aktivitet vazhdon të quhet banalisht dhe ironikisht “finale”, në Europian ku marrin pjesë rregullisht kombe sa gjysma e tonit e nuk bëjnë kaq zhurmë sa ne, shkuam ashtu si shkuam, me një fitore dhe dy barazime në të cilat ke pjesën e meritës dhe ti.

Të tjerat janë dëngla me të cilat dehen shqiptarët e infektuar nga komplekset e inferioritetit, shqiptarë të qorruar nga katenaçio-ja jote, që nuk shohin se ti pate në dispozicion si i pari drejtues i Kombëtares një plejadë të plotë të djemve të Shqipërisë 10 milionëshe të lindur, rritur dhe integruar në Europe, luks që prej tani do ta kenë dhe pasardhësit e tu, po që nuk pati shansin ta kishte kurrkush nga paraardhësit.

Të mbajti FSHF në pëllëmbë të dorës dhe po ikën duke e akuzuar se të paska dhënë shumë pak, financiarisht shumë pak nga të ardhurat gjigante që i paske sjellë ti asaj dhe futbollit tonë.

Do të mbetesh ekzemplar i veçantë i sojit tënd që menjëherë mbas ndeshjes së fundit kualifikuese në Armeni ju turre Armand Dukës duke thirrur paturpësisht harpagonshe “hape thesin President”!

Udhë e mbarë të qoftë, Xhan!