Rusi, Putin betohet si president

0
241
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Mes shkëlqimit të artë të Kremlinit e një salle gjigante të mbushur plot, Vladimir Putin bëri betimin për mandatin e katërt si president i Rusisë. Njeriu që e ka shijuar pushtetin prej 18 vitesh, qoftë si kryetar shteti, qoftë si kryeministër, e çimentoi vendin e tij në krye të Rusisë edhe për 6 vite të tjera, pas zgjedhjeve të marsit.

Kapjen e tij pas pushtetit, kundërshtarët e kanë krahasuar me sundimin e një cari apo një perandori. Televizioni shtetëror rus e tregoi 65-vjeçarin teksa largohej nga zyra e tij e i drejtohej vendit të ceremonisë, duke kaluar nëpër korridoret e gjatë të Kremlinit.

Vetëm dy ditë më parë, forcat speciale të policisë përlesheshin me protestuesit, që zbritën në rrugët e Moskës e qyteteve të tjera të Rusisë për të ngritur zërin kundër sundimit të tij.

Më shumë se 1.000 arrestime u kryen në 19 qytete, por Putini u shfaq këtë të hënë i pashqetësuar.

“Rusia u ngrit nga hiri i saj”, tha kreu i porsakonfirmuar i shtetit në fjalimin e betimit, ku u zotua t’u shërbejë njerëzve e të përmirësojë jetën e tyre, duke mbrojtur njëkohësisht ato që i quajti fitore të mëdha të vendit dhe akte heroike.

Betimin, ai e kreu me dorën e djathtë të mbështetur mbi një kopje të Kushtetutës ruse. Mesazhi i përsëritur në fjalim ishte thirrja për një ndryshim të madh, që t’i japë një shtysë ekonomisë dhe të rrisë standardin e jetesës.

Rizgjedhja e tij erdhi pas një fitoreje dërrmuese më 18 mars, por kritikët flasin për një proces votimi të pllakosur nga manipulimet dhe vet monitoruesit ndërkombëtarë theksuan se aty, praktikisht nuk ekzistonte mundësia e një zgjedhjeje të vërtetë.

Kur të përfundojë mandatin e tij të katërt, në vitin 2024, ai do të regjistrojë qëndrimin në pushtet prej afro një çerekshekulli (24 vite). Kjo e bën atë vetëm të katërtin në radhë, pas diktatorit sovjetik Joseph Stalin, me 31 vite në pushtet, si dhe mbretërimeve të carëve rusë, si Alexander II (26 vite) apo Nicholas I (30 vite).

Por kush është Putin, spiuni i bërë president? Le ta ndjekim shkurtimisht:

Viti 1952: U lind më 7 tetor në Leningrad (sot Shën Pjetërburg), qyteti i dytë më i madh i Rusisë, studioi për drejtësi dhe iu bashkua policisë sekrete KGB, duke shërbyer si një spiun në Gjermaninë Lindore.
Në vitet 1990: Pasi shërbeu si ndihmësi më i lartë i kryebashkiakut të Shën Pjetërburgut, iu bashkua Boris Yeltsinit në Kremlin në vitin 1997, ku u bë shef i FSB-së, (pasardhëses së KGB-së).
Viti 1999: U emërua kryeministër, por shumë shpejt u bë president në detyrë pas dorëheqjes së Yeltsinit.
Viti 2000: U zgjodh president dhe shërbeu për dy mandate 4-vjeçare.
Viti 2008: I ndaluar për të garuar për një mandat të tretë, tronditi analistët me rikthimin në postin e kryeministrit, ndërsa besniku i tij Dmitry Medvedev u bë president.
Viti 2012: U rizgjodh president për një mandat 6-vjeçar, bazuar mbi ligjin e ri.
Viti 2018: Rizgjidhet sërish për mandatin e katërt, edhe ky 6-vjeçar.

Zjarr Tv Ad