Shqipëri-Britani bashkëpunim për të luftuar trafikun e qënieve njerëzore

0
34

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj thekson se do të thellohet bashkëpunimi institucional me Anglinë për të arrestuar trafikantët si dhe për të mbrojtur viktimat e trafikut të qënieve njerëzore.
Fatmir Xhafaj: Sot në Britaninë e Madhe ka një numër shtetas shqiptar të rritur dhe të mitur kryesisht, që janë referuar pranë mekanizmit kombëtar të referimit atje, si viktima të mundshme të trafikimit. Institucionalizimi i bashkëpunimit tonë do t’i japë mundësi identifikimit dhe referimit të drejtë të tyre dhe angazhimit të përbashkët për t’i marrë në mbrojtje ata, veçanërisht fëmijët dhe për t’i vendosur përpara drejtësisë trafikantët.
Në aktivitetin e organizuar sot paradite me temë “Thirrja për veprim – Bashkë kundër skllavërisë moderne dhe trafikimit të personave”, organizuar nga Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në Tiranë theksohet se çështjet e luftës kundër trafikimit të personave, punës së detyruar, skllavërisë moderne, vazhdojnë të përbëjnë një nga sfidat kyçe të qeverisë shqiptare, Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe gjithë strukturave të tjera, me detyra dhe përgjegjësi të drejtpërdrejta në këtë drejtim.
Fatmir Xhafaj: Qeveria shqiptare e ka vendosur luftën kundër trafikimit të personave si një nga prioritetet e saj, duke e fokusuar këtë luftë jo vetëm në goditjen e veprimtarisë kriminale, por edhe në bashkërendimin e forcës për parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit. Realizimi i këtij prioriteti nuk mund të përmbushet nga një qeveri apo shtet i vetëm pa forcimin dhe bashkëpunimin në nivel kombëtar dhe atë rajonal. Është përgjegjësia e gjithësecilit prej ne për të marrë hapat e duhur për asgjësimin e këtij fenomeni, për të ndërmarrë hapat e duhura se për hir së të vërtetës edhe ne si qeveri edhe të gjithë aktorët e tjerë kanë ende shumë në këtë aspekt. Për të pasur një veprim të koordinuar ndaj luftës kundër trafikimit të personave është hartuar dhe pritet të miratohet “Plani Kombëtar i Veprimit 2018 – 2020”, i cili ka kaluar një proces të gjatë konsultimi me të gjithë aktorët anti-trafikim kombëtar dhe ndërkombëtar.
Xhafaj: Ky plan parashikon në mënyrë të integruar dhe me afate të përcaktuara përgjegjësitë, objektivat strategjik dhe veprimet konkrete për të gjitha institucionet publike të angazhuara në këtë fushë. Ai merr në konsideratë detyrimet e posaçme që ka shteti në lidhje me mbrojtjen e të drejtave, veçanërisht të fëmijëve duke u kthyer në udhë-rrëfyesin institucional për të konkretizuar vizonin tonë të përbashkët për të minimizuar fenomenin dhe për të respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Ambasadori britanik në Tiranë, Duncan Norman, në fjalën e tij ofroi mbështetjen e autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar. Sipas tij, kryeministrja Tereza May ka ndërmarrë iniciativën “thirrje për veprim”, ku po bashkëpunohet me autoritetet e shteteve që kanë problematika në trafikun njerëzor. Nga raportet e agjencive britanike rezulton se 670 shqiptarë u ndaluan gjatë viteve 2016-2017 në tentativën për të hyrë në Britani, pasi ishin kapur me dokumente të falsifikuara. Ndërkohë vetëm në vitin 2017, janë identifikuar 777 shqiptarë të trafikuar nga të cilat 346 gra dhe vajza dhe afro 350 të mitur. Vetëm në muajt e fundit, në disa qytete të Shqipërisë, Spanjës, Anglisë, etj janë shkatëruar rreth 10 grupe kriminale që dërguan mijëra shqiptarë drejt Britanisë së Madhe.