SITUATA PAS-ZGJEDHORE NË ITALI

0
98

Në komunikimin e tij të parë për mediat pas zgjedhjeve të 4 marsit, Silvio Berlusconi ka deklaruar se koalicioni i qendrës së djathtë duhet të marrë mandatin për të qeverisur, pas fitores së shënuar në zgjedhjet e përgjithshme. Duke e konsideruar veten “koordinator”, 81-vjeçari konfirmoi se ai do të jetë garantuesi i harmonisë brenda koalicionit. Në komunikimin e tij, Berlusconi u ndal edhe në rezultatin e arritur nga partia e tij Forza Italia, që humbi pozitat udhëheqëse në qendrën e djathtë. “Do të kishte qenë ndryshe nëse nuk do të më kishin ndaluar kandidimin,” u shpreh 81-vjeçari, ndërkohë që garantoi mbështetjen për Matteo Salvini-n si kryeministrin e ardhshëm të Italisë. Lideri i “Ligës” deklaroi se ai është kandidati i vetëm për kryeministër. I pyetur nga gazetarët nëse ai do t’i hapte rrugën një kandidati i cili mund të marrë më shumë mbështetje në parlament, Salvini u përgjigj menjëherë “jo”. Por lideri i “Ligës” nuk është i vetmi që synon Kryeministrinë. Edhe udhëheqësi i “Lëvizjes 5 Yjet” Luigi Di Maio, ka të njëjtin pretendim, pasi partia e drejtuar prej tij arriti të merrte 32% të votave në votimet e 4 marsit. Për Di Maio-n, pjesëmarrja e forcës së tij në qeverinë e re të Italisë është e pashmangshme. Ndaj 31-vjeçari është zotuar se do të marrë të gjithë masat e nevojshme institucionale për të garantuar këtë gjë. Suksesi zgjedhor i arritur nga “Lëvizja 5 Yjet”, për Di Maio-n i atribuohet faktit se partia e tij nuk është territoriale dhe nuk kategorizohet si e djathtë apo e majtë. Ndërkaq, sa i përket koalicioneve pas-zgjedhore, lideri 31-vjeçar ka shprehur gatishmërinë e tij për dialog me çdo forcë politike që kërkon të qeverisë.