Skënderbeu nën presion, Takaj mbledh ekipin dhe i bën apel…

0
861
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Skënderbeu është gati për takimin e sotëm në kryeqytet kundër Partizanit, por duket se presioni që ka përfshirë korçarët është i madh dhe i paprecedent në këto gjashtë vite histori suksesi.

Këtë e konfirmon mënyra sesi Skënderbeu po përgatit takimin që pas largimit nga Korça drejt Durrësit. Menjëherë sapo skuadra ka mbërritur në qytetin bregdetar, presidenti Ardjan Takaj, ndjeshëm i revoltuar, ka bërë një takim me stafin dhe skuadrën.

Skënderbeu vijon të jetë në heshtje për shtyp, madje i izoluar nga të gjitha anët, për vetë faktin se kreu i klubit ka urdhëruar që edhe stërvitjet të zhvillohen me dyer të mbyllura.

Madje, 24 orë para ndeshjes, kur pritej që trajneri Ilir Daja të dilte në konferencën për shtyp para, kjo nuk ka ndodhur. Kjo është hera e parë që Daja nuk prononcohet në prag të ndeshjeve.

Në ditën e fundit të përgatitjeve, numri një i klubit korçar ka kërkuar nga të tijtë reagimin e menjëhershëm pas tre barazimeve radhazi, duke theksuar para lojtarëve se një humbje ndaj Partizanit do t’i kushtonte shumë shtrenjtë Skënderbeut në garën për titull. Burime pranë klubit bardhekuq bëjnë me dije se në takimin me ekipin, Takaj nuk ka premtuar premio, por e ka quajtur fitoren si detyrim.

“Barazimet e fundit na kanë komplikuar shumë rrugën drejt titullit kampion dhe një humbje në këto kushte do të ishte një goditje e rëndë për të gjithë. Jo më kot vendosa heshtje për shtyp që të jeni të përqendruar vetëm te ndeshja dhe të mos kishit presione të jashtme. Tani është radha juaj që të tregoni me të vërtetë sa vleni.

Unë e di se ky ekip ka forcën të fitojë përballë çdo kundërshtari, vetëm duhet që të luani me përgjegjshmëri dhe përqendrim maksimal.

Në një ndeshje të tillë, përcaktuese për shumë gjëra drejt titullit, vetëm fitorja është ajo që na kënaq të gjithëve. Pres nga ju që të merrni seriozisht takimin dhe të fitoni në fushë, duke u rikthyer bindshëm drejt titullit. Asgjë nuk ka mbaruar, me një fitore rikthehemi sërish pretendentët kryesorë”, ka thënë Takaj në takimin e djeshëm me futbollistët.

Sigurisht, para një ndeshjeje kaq të rëndësishme, qetësia e ekipit është kryesorja. Duket se pavarësisht presioneve të mëdha që ka Skënderbeu për fitoren, Takaj është kujdesur mjaft që ekipi të punonte i pashqetësuar.

Gjithsesi, premio nuk do të ketë në këtë takim, edhe pse është një ndeshje kyçe, por, nga ana tjetër, duket se në rast gabimi gjobat do të ishin të pashmangshme për lojtarët.

 

Zjarr Tv Ad