Telefonata Tsipras-Zaev nuk solli rezultat

0
113

Telefonata e shumëpërfolur Tsiras-Zaev, lidhur me përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së emrit është realizuar pasditen e të hënës. Por bashkëbisedimi i dy kryeministrave nuk ka prodhuar ndonjë lajm. Sipas zyrës së shtypit të kryeministrit grek, ai që telefonoi ishte shefi i qeverisë maqedonase. “Komunikimi u zhvillua në klimë të mirë, zgjati një orë dhe nesër do të ketë një telefonatë të re për të finalizuar bisedimet”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të kryeministrit Tsipras. Më herët, paraditen e të hënës, Tsipras ishte takuar për më shumë se një orë me ministrin e jashtëm, Nikos Kotzias. Edhe pse objekti i këtij takimi ishin Athinë-Shkup, Kotzias nuk bëri asnjë deklaratë kur doli nga selia e kryeministrisë. Para disa ditësh dy ministrat e Jashtëm deklaruan se e kishin përfunduar punën e tyre dhe se tashmë zgjidhja ishte në duart e dy kryeministrave. Njoftimi i qeverisë greke u lëshua në të njëjtën kohë që partia Grekët e pavarur” njoftonte se të martën paradite do të ketë një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp. Partia që drejtohet nga ministri i mbrojtjes Panos Kammenos, është e vetmja aleate në qeverinë Tsipras. Qëndrimi zyrtar i Grekëve të pavarur është se në emrin e propozuar për vendin fqinj, nuk pranon të përdoret termi Maqedoni apo derivat i saj.