Tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit Durrës, pezullohen nga KLD.

0
225

Nën drejtimin e Presidentit Ilir Meta, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi paraditen e sotme mbledhjen plenare, ku ndër të tjera pezulloi nga detyra tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit Durrës, Petrit Çeno, Kliton Spahiu dhe Petraq Dhimitri. Ky vendim erdhi pasi anëtarët e Këshillit u njohën dhe shqyrtuan informacionin e ardhur nga Drejtuesi i Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, më 6 shkurt ku njoftohej marrja si të pandehur të tre gjyqtarëve të sipërcituar. Duke qenë se një nga gjyqtarët e pezulluar ushtron edhe detyrën e kryetarit të Gjykatës së Apelit Durrës, Këshilli caktoi gjyqtarin Desart Avdulaj, për të ushtruar përkohësisht detyrën e kryetarit së kësaj gjykate. Tre gjyqtarë të gjykatës së Apelit Durrës, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno janë nën hetim për korrupsion pasiv nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Gjyqtarët dyshohen se janë sponsorizuar në dy udhëtime jashtë vendit nga një biznesmen durrsak, i cili ishte palë në një proces civil që po shqyrtohej prej tyre. Të dhënat e siguruara prej dosjes hetimore tregojnë se tre gjyqtarët kanë ndërmarrë një udhëtim në Spanjë në tetor 2014, për të parë ndeshjen e futbollit Real Madrid-Barcelona. Prokuroria dyshon se ky udhëtim është bërë në shoqërinë e biznesmenit Namik Sadiku, pronari i një kompleksi turistik në Durrës dhe është paguar prej tij.