Trump: Kurrë s’e kam thënë se kur do të ndodhë sulmi në Siri

0
209
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Presidenti Donald Trump reagoi sërish të enjten, duke thënë se sulmi ndaj Sirisë mund të ndodhë “shumë shpejt” ose “nuk mund të ndodhë”, duke argumentuar se kurrë nuk ka dhënë ndonjë shenjë mbi kohën e hakmarrjes për sulmin e dyshuar me armë kimike, pavarësisht se një ditë më parë e bëri thuajse të pashmangshme një ndërhyrje ushtarake. E si gjithmonë, deklarata e fundit e tij u bë përmes “Twitter”-it. Të mërkurën, Trump paralajmëroi Rusinë “të bëhej gati” për një sulm me raketa mbi aleatin e saj, Sirinë. Por, të enjten duket se u zmbraps disi nga qëndrimi i mëparshëm, kur shkroi: Kurrë nuk kam thënë se kur do të ndërmerret sulmi ndaj Sirisë! Në “lojën” siriane është rreziku i një konfrontimi potencial, e jo një konflikt i hapur e i plotë, mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, dikur armiq gjatë “Luftës së Ftohtë”, marrëdhëniet mes të cilëve janë përkeqësuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit, që pas ndërhyrjes së Moskës në Ukrainë, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, e së fundi edhe pas mbështetjes së presidentit sirian, Bashar al-Assad. Ligjvënësit rusë kanë paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se Moska do ta konsideronte një sulm ajror mbi Sirinë si një krim lufte, e kjo mund të shkaktonte edhe një përplasje të drejtpërdrejtë mes ushtrive amerikane e ruse. Ambasadori i Rusisë në Liban tha se, çdo raketë e lëshuar mbi Siri do të rrëzohej poshtë, ndërsa vendlëshimet e tyre do të shënjestroheshin, një paralajmërim i hapur për një konfrontim madhor mes dy superfuqive. Trump, i cili shpeshherë ka thënë se një kryekomandant nuk duhet të transmetojë kurrë qëllimet e tij ushtarake, me sa duket e bëri vet përmes “cicërimës” sipas së cilës “raketat do të vijnë”, në kundërpërgjigje të sulmit me armë kimike që vrau të paktën 40 persona pranë Damaskut. “Rusia zotohet se do të rrëzojë të gjitha raketat në drejtim të Sirisë, – shkroi dje Trump. – Atëherë bëhu gati Rusi, sepse ato do të vijnë…të bukura, të reja dhe ‘të zgjuara’. Ju nuk duhet të bëni partner një kafshë që vret me gaz vdekjeprurës popullin e tij dhe ta shijoni këtë gjë”. Sekretari i Mbrojtjes, James Mattis, ndërkohë ka theksuar se provat e asaj se çfarë ndodhi janë duke u vlerësuar. Gjatë një sesioni fotografik në një takim të Pentagonit, së bashku me homologun e tij holandez, Mattis u pyet nga një reporter nëse kishte parë prova të mjaftueshme për të fajësuar qeverinë siriane. “Jemi ende duke vlerësuar informacionet e shërbimeve sekrete, tonat dhe të aleatëve tanë, – tha Mattis. – Nuk mund të them gjë tjetër, veçse jemi ende duke punuar mbi këtë çështje”. Trump sugjeroi të hënën nuk kishte aspak dyshime se Siria ishte fajtore, por as ai dhe as ndonjë zyrtar i lartë i administratës nuk kanë paraqitur prova të rënda. Kjo është në kontrast të thellë me incidentin e një viti më parë, kur qeveria amerikane kishte video dhe prova të tjera të një sulmi nga avionët sirianë që kishin përdorur gaz sarin. Atij incidenti, Trump iu kundërpërgjigj duke lëshuar dhjetëra raketa “cruise” nga luftanijet mbi një bazë ajrore siriane. Megjithatë, SHBA, Franca dhe Britania kanë zhvilluar konsulta të gjera mbi një sulm të mundshëm ushtarak jo më vonë sesa fundi i kësaj jave. Një operacion i përbashkët, ndoshta me Francën kryesuese e jo Shtetet e Bashkuara, mund të dërgojë një mesazh uniteti ndërkombëtar mbi zbatimin e ligjeve parandaluese të armëve kimike dhe për të kundërshtuar mbështetjen ushtarake e politike të Rusisë e Iranit ndaj Sirisë. Presidenti francez, Emmanuel Macron tha të enjten se Franca ka prova të pakundërshtueshme se qeveria siriane ka sulmuar me gaz klorin, e për këtë arsye, Franca “nuk mund të tolerojë regjimet që mendojnë se gjithçka është e lejuar”. Presidenti francez nuk ka nevojë për leje nga Parlamenti për një nisur një ndërhyrje ushtarake.

Zjarr Tv Ad