Violeta Donaj tregon ç’mban mend nga ngjarja: Ja ku e gjeta armën që vrava burrin

0
230

Violeta Donaj, gruaja që qëlloi me armë të shoqin dhe e la atë të vdekur në pazarin e Milotit, kur kanë kaluar disa ditë nga ngjarja e rëndë, ka mundur të flasë për policinë dhe të tregojë se ku e kishte gjetur armën e krimit.

Ajo ka thënë se e ka marrë në makinën e tyre familjare, por pa specifikuar nëse arma ishte e të shoqit apo e saj.

Sipas Violetës, ka qenë sjellja e të shoqit dhe problemet ekonomike që ai i shkaktonte familjes, ato që e kanë detyruar të kryejë këtë akt të rëndë.

Gruaja, nënë e dy fëmijëve, shprehet:
Nuk e di sesi e bëra, thjesht kujtoj që mora pistoletën dhe e qëllova. Isha e lodhur nga sjellja e tij, duke luajtur bixhoz dhe duke na krijuar probleme ekonomike e më pas ishte bërë shumë xheloz. U takuam për të vijuar si çdo herë punën tonë, por patëm një debat dhe unë kam hyrë në makinë (familjare), aty kam gjetur pistoletën, të cilën e mora me vete dhe shkova te tregu dhe e kam qëlluar.”

Violeta tregon edhe se ka qenë e mpirë pasi ka kryer aktin e rëndë dhe mban mend që e ka gjetur veten në makinën e policisë. Në rrëfim e sipër Violeta bën me dije se problemet që kishte me të shoqin mundohej t’i fshihte, duke menduar se situata do të përmirësohej, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Gruaja kujton:
Nuk e dija se çfarë po bëja, por e kam parë bashkëshortin e shtrirë dhe kuptova se i kisha dhënë fund gjithçkaje, edhe jetës së familjes sonë. Fillova të dridhesha dhe më pas e kam parë veten të futur në një makinë, derisa erdhi Policia. Kishim probleme. Mundohesha t’i fshihja duke menduar se gjërat do të rregulloheshin, por nuk ndodhi. Ajo që bëra ishte një moment dobësie dhe lodhje e madhe, duke e përjetuar problemin në familjen tonë”.