Vrasja në “Don Bosko”, ja momenti kur 31-vjeçari sapo ka qëlluar me pistoletë të renë

0
148

Ky është momenti kur Xhafer Mata sapo ka qëlluar me pistoletë Xhuljeta Çunin, një vajzë 19-vjeçare që jetonte në zonën e ‘Don Boskos’ në Tiranë. Është ora 08.20 minuta. Në pamjet në video të siguruara nga Tv Klan shihet sesi 31-vjeçari nga Kukësi, me profesion inxhinier, që mban veshur një bluzë të kuqe, lëshon pistoletën në trotuar, pasi e ka qëlluar dy herë të renë, që gjendet e shtrirë në trotuarin e rrugës “Eshref Frashëri”, pak metra larg tij. Disa sekonda më pas ai rrethohet nga policia, në anën tjetër të rrugës. Thirrjeve për t’u dorëzuar iu përgjigj duke qëlluar veten me një plumb në kokë. U dërgua në spital, por disa minuta më vonë ndërroi jetë.

Refuzimi për martesë përfundoi në tragjedi. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm, (8 qershor) ora 08:10 përbri rrugës “Don Bosko”, në Tiranë kur Xhafer Mata qëlloi me 2 plumba pistolete Xhujleta Çunin dhe pasi kaluan 15 minuta qëlloi veten në kokë. Vajza po shkonte për të dhënë provimin e letërsisë, pasi ishte maturante, ndërsa punonte si shitëse në një market. Pikërisht pranë pallatit ku javën e fundit, Mata i ndërpriste rrugën çdo ditë Xhulietës, për ta bindur që ta merrte nuse në shtëpi, për të kurorëzuar kështu lidhjen intime disavjeçare.Nga ana tjetër, 31-vjeçari, me profesion inxhinier mekanik dhe i punësuar në servisin e tij, brenda ambienteve të banesës private, ishte divorcuar prej pak muajsh nga bashkëshortja, me të cilën kishte edhe një fëmijë të mitur. Refuzimi i vajzës për t’u martuar me të dashurin e sapondarë nga gruaja është edhe pista më e fortë hetimore, ku janë përqendruar specialistët e sektorit të Krimit Kundër Jetës në Policinë e Tiranës, ndërsa janë pyetur familjarët për të mësuar rrethanat e plota të krimit. Vajza banonte pranë “Shinave të Trenit”, thuajse 500 metra larg banesës së 31-vjeçarit, ku familja e saj kishte ndërtuar shtëpinë prej disa vitesh, kur kishin ardhur nga Vinjolli i Matit.Ndërsa Xhafer Mata, me origjinë nga Kalimashi i Kukësit jetonte në banesë private. Njëri nga vëllezërit e tij jetonte në Britaninë e Madhe, ndërsa vëllai tjetër dhe motra banonin në Tiranë.