10 plazhet më In të verës 2020

0
585
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...
Sezoni veror i 2020-ës ka mbërritur i vonuar dhe i ndrojtur këtë vit pandmie. Megjithatë, plazhet më In të vendit tashmë rikonfirmojnë vetveten dhe premtojnë edhe për këtë vit, të mikpresin dhe argëtojnë pushuesit e tyre më besnikë. Shumë prej tyre kanë çelur sezonin me koncerte me artistë të njohur shqiptarë.

1. Rana e Hedhun

Nga plazhet më të bukura të veriut në detin Adriatik, Rana e Hedhun, është një ftesë e hapur për të lënë gjurmë…në rërë. Këtu zbulon kuptimin dhe pamjen e dunave të rërës që krijohen rrëzë shpateve të malit. Brezi i gjerë ranor, që në disa segmente mbërrin deri në 300 metra, kufizohet nga një kurorë pishash që kthehen në strehë natyrore në orët e nxehta të drekës. E zbuluar reativishtë vonë, kjo zonë ka marrë zhvillim të menjëhershëm duke u frekuentuar menjëherë nga të rinj të shumtë që e kanë shndërruar në plazhin e eventeve dhe festave verore.

Rana e Hedhun - Into Albania

2. Kepi i Rodonit

Një gjuhëz toke shkëmbore mbi Adriatik, me bukurinë e plazheve të Jonit. Skenografia ideale e fotove tuaja. Këngëtarët shqiptarë e përzgjedhin shpesh herë për të realizuar videoklipet e këngëve të tyre. Shumë çifte e zgjedhin si kornizë për fotot e martesës. Së fundimi, turistët vendas e zgjedhin si alternativë të plazheve të Durrësit dhe Gjirit të Lalëzit. Një vend më i veçantë, më “ekskluziv” se dy të sipërpërmendurit, e megjithatë, pranë kryeqytetit dhe lehtësisht i arritshëm edhe për udhëtimet brenda ditës.

Kepi Rodonit. Durres. Albania - YouTube

3. Karpen

Më pak i përfoluri, i përzgjedhur kryesisht nga njohësit e vërtetë të të jetuarit me shije. Plazhi Karpen, i përket qytetit të Kavajës, ofron plazh të rehatshëm me rërë dhe restorante ku shijohen produktet e detit dhe vera e mirë. Ashtu si Kapi i Rodonit, është alterantiva tjetër e atyre që preferojnë plazhe më pak të populluara.

Nat_Karpen

4. Radhimë

Aty ku fillon Joni. Ndryshimi i menjëhershëm i bregdetit në këtë pikë, shfaqja e papritur e nuancave të blusë dhe të gjelbrës në ujërat e detit të Radhimës të bën ta ndalësh makinën në të parin plazh. Frekuentimi gjithnjë e më i madh i kësaj zone, ka sjellë biznese të shumta dhe së fundmi edhe investime shumë luksoze në Radhimë.

5. Palasë

I pari plazh që shquhet nga pika më e lartë në ngjitje të Qafës së Llogarasë dhe i pari që do të doje të hidheshe për t’u zhytur, nga aty. Tashmë ky plazh është shndërruar në “vendin ku duhet patjetër të shkosh”, mes të rinjve. Jo vetëm deti blu me shtratin e bardhë të gurëve, por edhe përqëndrimi i një sërë biznesesh që udhëheqin jetën e natës në rivierë gjatë verës, e kanë renditur prej pak vitesh plazhin e Palasës ndër ato më “In”.

6. Dhërmi

Pikë referimi për rininë në vitet ’90-2000, ky plazh, sëbashku me binjakun e tij, plazhin Drimadhes, qëndrojnë stoikë në zgjedhjet e përvitshme si të pushuesëve vendas ashtu edhe atyre të huaj, falë edhe përfshirjes që u bëhet në listat e prestigjizeve ndërkombëtare të turizmit. Ujërat e kaltër të Drimadhesit, vija e shtrirë dhe më i gjerë e këtij bregu dhe zafiri i Dhërmiut, me thyerje që krijojnë gjire të vogla dhe të pavarura, janë sugjerimi i parë që do të merrni nga një vendas nëse do ta pyesini për vendin më të mirë në jug.

Dhërmi

7. Jal

Mes Dhërmiut dhe Himarës ky plazh është profilizuar prej vitesh në turizmin e luksit, e megjithatë është ndër vendet më popullore të jugut, për vendasit. Kur bëhet fjalë për hotele dhe shërbime, party në plazh, e sidomos për jetën e natës, fundjavat me muzikë live me këngëtarë nga Shqipëria e Kosova, por edhe DJ të huaj, mos kërko tjetër. Jali është plazhi yt!

8. Potam

Aty ku uji është gjithnjë i freskët. Falë burimeve të shumta nënujore, deti në këtë pikë ësshtë më i ftohtë, më i qartë dhe më i pastër. Nëse zgjedh Himarën për të pushuar, në Potam mund të mbërrish në këmbë. Propozohet si një plazh i qetë, krahas atij të zhurmshëm të Himarës.

9. Llaman

Ajo që bën përshtypje më shumë në vijën bregdetare të Shqipëriusë, relativisht e shkurtër me atë të fqinjëve përreth, është larmishmëria e ngjyrave të ujit të detit dhe thyerjeve që pëson relievi. Nga një plazh në tjetrin të duket sikur ke ndryshuar krejt shtet, në fare pak kilometra. Kështu plazhi i Llamanit karakterizohet nga një ngjyrë jeshile smeraldi, krejtësht ndryshe nga ajo e plazheve ngjitur. Parë nga lart, kodrat e buta shkëmbore, në të dy krahët e këtij gjiri të vogël, duket sikur e kanë rehatuar në një poltronë gjigande plazhi, detin në këtë vend.

10. Ksamil

Kur mendon se ke parë gjithçka të bukur në plazhet e bregdetit shqiptar, të shfaqet Ksamili. I fundit i plazheve në jug të vendit, por në rradhët e para nëse do të bënim një renditje për nga bukuria. Këtu natyra ka përkryer punën e saj. Mund të zgjedhësh të qëndrosh në tokë, në plazhin me rërë të bardhë, apo të kërcesh mbi një motobarkë dhe në pak minuta, të gjendesh në mes të Jonit, në njërin nga Tri Ishiujt e Ksamilit. Shijo këtë bukuri të rrallë dhe rezistoi tundimit për të braktisur gjithçka dhe për t’u zhvendosur aty.

Në varësi të llojit të pushimeve që dëshironi të keni, secili nga këto plazhe, mund të jetë thellësisht i qetë (deri në fillim të muajit korrik), apo gjallërisht i zhurmshëm (në muajt korrik-gusht). Zgjedhja është në dorën tuaj!

Zjarr Tv Ad