“100 fshatrat”, FSHZH 1.3 milionë euro për karnavale, festa, parada e panaire. Qeveria nuk ndal shpenzimet e “luksit” në kulmin e krizës

0
36
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Në kulmin e krizës, kur kryefjalë janë kufizimet, qeveria nuk ndal “shpenzimet e luksit”. Kjo dëshmohet edhe nga procedura e fundit e tenderimit e shpallur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Janë rreth 1.3 milionë euro, të cilat do të shkojnë për karnavale, festa, parada dhe panaire, ndërkohë që nga ana tjetër, shtrohet nevoja për të mbështetur financiarisht familjet e varfra, të cilat prej një viti po përballen me çmime të dyfishuara jo vetëm për produktet e shportës, por edhe për shërbimet.

Në dy paketat e mbështetjes që janë ofruar ndihma kanë qenë minimaliste dhe e pamjaftueshme për përballimin e krizës. Këtë nuk e thonë edhe qytetarët, por edhe institucionet ndërkombëtare. Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkoi nga qeveria që të rrisë mbështetjen për kategoritë në nevojë, ndërsa sipas Bankës së Shqipërisë, renditemi të fundit në rajon sa i takon mbështetjes së ofruar për qytetarët në përballimin e krizës. Por pavarësisht kësaj situate, nuk kanë të ndalur “tenderët e luksit”. I fundit është ai për mbështetjen e aktiviteteve festive, kulturore dhe sportive, i shpallur nga drejtori i Fondit Shqiptar i Zhvillimit, Dritan Agolli.

“Objekt i tenderit është ndërhyrja për promovimin e zonave të ‘100 fshatrave’ nëpërmjet eventeve kulturore, sportive, kulinarie, sociale, etj. Organizimi i eventeve është një mundësi e shkëlqyer për të nxjerrë në pah cilësinë dhe specifikat e destinacionit turistik. Efektet pozitive fizike dhe ekologjike reflektohen në rritjen e ndërgjegjësimit mbi mjedisin, mbrojtjen dhe transformimin, por edhe në përmirësimin e infrastrukturës së transportit dhe komunikimit. Ata gjithashtu mund të gjenerojnë mundësi udhëtimi në një destinacion specifik, pasi eventi ka mbaruar. Kështu, krijohet vlerë duke shitur produkte novatore që ofron destinacioni”, thuhet në dokumentin e tenderit.

Fondi pranon gjithashtu, sipas “Monitor” se nëpërmjet kësaj marrëveshjeje kuadër synon të mbështesë 61 bashkitë në promovimin e vlerave turistike të territorit që mbulojnë duke vënë në dispozicion infrastrukturën e nevojshme për organizimin e eventeve të tipologjive të ndryshme. “Kjo ndërhyrje përveç rritjes së frymës komunitare dhe realizimit të aktiviteteve, synon më së shumti rritjen e kapaciteteve të bashkive për organizimin e eventeve nëpërmjet vënies në dispozicion të pajisjeve bazë minimale të cilat lejojnë zhvillimin e aktiviteteve sociale dhe rekreative”, thuhet në dokument.

Projekti synon përfshirjen e të gjitha kategorive të eventeve të tilla si: Evente komunitare ku përfshihen karnavale, paradë, ceremoni për ndarje çmimesh evente sociale, festa, mbledhje, grumbullime etj. Po ashtu, evente sportive, natyrore, kulturore si konkurse sportive (për profesionistë dhe amatorë) rekreative (sporte dhe lojëra argëtuese, zbavitje, etj.) kulturore dhe nënkategoritë e saj (festival, festa fetare, festa të trashëgimisë kulturore) etj., evente të promovimit dhe ndërveprimit ekonomik dhe tregtar me nënkategoritë e saj (panaire, tregje, ekspozita, evente publicitare, takime dhe konventa, etj.). Evente qytetare, qeverisëse, shoqëri civile, ku përfshihen evente ndërgjegjësimi, publicitare, si edhe evente të edukimit dhe shkencore (seminare, workshops, kongrese, etj.)

Shpërdorimi i parave publike

Pak javë më parë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka zhvilluar një tjetër procedurë prokurimi me vlerë 1,7 milionë eurosh për instalimin e impianteve të energjisë diellore me qëllim furnizimin me energji të ndërtesave publike, apo për ndriçimin rrugor. Në garë morën pjesë 5 subjekte, ndërkohë që fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “HTM” sh.p.k. dhe “BE – IS” sh.p.k. me një ofertë prej 163,7 milionë lekësh ose 1,4 milion euro, dhe që në fakt ka qenë oferta e tretë për nga çmimi.

Përpara saj janë të renditura oferta e bashkimit të operatorëve kryesuar nga “START CO” sh.p.k. me vlerë 139 milionë lekë ose 1,2 milionë euro, dhe ajo dhënë nga kompania “SIRETA” sh.p.k. me vlerë 144,4 milionë lekë ose 1,25 milionë euro. Por, edhe pse diferenca në çmim është plot 200 mijë euro me bashkimin e operatorëve të shpallur fitues, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka renditur një sërë kriteresh që nuk janë përmbushur për të justifikuar skualifikimin. Kriteri i përzgjedhjes së ofertës më të mirë ekonomike nuk merret fare në konsideratë nga institucioni i drejtuar nga Dritan Agolli, edhe pse ai është kriteri kryesor i përzgjedhjes së fituesve në garat e prokurimeve publike.

Zjarr Tv Ad