12 Nëntor, Partia Demokratike mban sot protestën e dytë kombëtare në Tiranë, thirrur nga Sali Berisha

0
61
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Partia Demokratike mban këtë të shtunë në Tiranë, protestën e dytë kombëtare. Pas 7 korrikut, zyrtarë të shumtë nga selia blu janë shprehur se e sotmja do të jetë më e madhja ndonjëherë, pasi mijëra demokratë do vijnë nga rrethet e nga jashtë vendit.

Edhe Ilir Meta, tashmë aleat i Sali Berishës, ka njoftuar se Partia e Lirisë do të jetë në shesh me përfaqësuesit e saj dhe simpatizantët. Dy aleatët kanë firmosur një marrëveshje për bashkërendim të aksionit opozitar dhe futjen bashkë në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Në kuadër të këtij tubimi, këtë të shtunë 12 Nëntor, Policia e Shtetit ka njoftuar masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe bllokimin e disa segmenteve për qarkullimin e mjeteve.

Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, duke filluar prej orës 15:00, të datës 12.11.2022, deri në përfundim të tubimit, janë:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Nga ana e saj, Policia e Shtetit garanton qytetarët se ka marrë të gjitha masat e sigurisë, në përmbushje të përgjegjësive institucionale të saj, për garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit të thirrur nga Sali Berisha.

Po ashtu, edhe vetë kreu i PD dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm brenda kësaj force politike, janë shprehur se protesta do të jetë e fuqishme dhe me mijëra demokratë e qytetarë të zakonshëm do të derdhen në bulevardin kryesor para Kryeministrisë.

Po të njëjtët, kanë siguruar se nuk do të ketë akte dhune dhe tubimi do të jetë plotësisht paqësor.

Zjarr Tv Ad