13 vite në sistemin e drejtësisë, KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin Lazër Sallaku

0
58
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin Lazer Sallaku.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Sallaku u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Roland Ilian. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Sallaku gjatë seancës dëgjimore më 24 maj ka kundërshtuar bilancet negative kryesisht në blerjen e një apartamenti. Po ashtu ai dha shpjegime për pushimin e çështjes së privatizimit të CEZ Shpërndarje, me të kallëzuar Lulzim Basha, Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, Ridvan Bode dhe Genc Ruli.

Lazer Sallaku ka punuar si avokat përpara se të niste karrierën në sistemin e drejtësisë, si inspektor i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitin 2007. Ai u emërua gjyqtar në vitin 2010 dhe e ushtroi fillimisht funksionin në Gjykatën e Durrësit. Prej vitit 2013, Sallaku punon si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë.

Pasuria

Si burime krijimi të një apartamenti në Tiranë, të rezervuar në vitin 2014 kundrejt vlerës 46,323 euro, subjekti ka deklaruar pakësimin e gjendjes cash.

Ndërkohë, pas zgjidhjes së martesës, ka deklaruar se i ka kthyer ish-bashkëshortes vlerën 45 mijë euro dhe apartamenti është regjistruar vetëm në emrin e tij. Si burim të shumës 45 mijë euro dhënë bashkëshortes pas divorcit, Sallaku ka deklaruar një kredi në vlerën 36 mijë euro dhe një hua nga një kushëri në shumën 11 mijë euro. Bekteshi sqaroi se vërtetohej kalimi i vlerës 45 mijë euro në llogarinë e ish-bashkëshortes, si dhe nuk janë gjetur probleme në burimet e kësaj shume.

Subjekti ka shpjeguar për Komisionin se kursimet që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit në vitin 2014, ishin krijuar nga pagat e tij e të ish-bashkëshortes, si dhe një dhurim në vlerën 40 mijë euro të përfituar nga kjo e fundit prej nënës së saj të ndjerë.

Ai vërejti se në vitin 2010 është konstatuar balancë negative në shumën 180 mijë lekë, ndërsa për pamundësinë në vlerën rreth 1 milion lekë në 2011-ën, pretendoi se krijohej për shkak të moskonsiderimit në analizë të të ardhurave të krijuara nga shitja e një automjeti të llojit Mitsubishi dhe të skafit.

Mospërputhje ka pasur mes deklarimit të subjektit lidhur me çmimin e blerjes së automjetit të llojit Mitsubishi, pasi gjyqtari Sallaku e ka deklaruar në vlerën 700 mijë lekë, ndërsa në kontratë është përcaktuar 180 mijë lekë. Megjithatë, Komisioni konstaton se subjekti ka pasur mundësi për blerjen e këtij mjeti, si dhe të një Benzi në vitin 1999.

Dosjet e bujshme që mbylli Lazer Sallaku

Gjetjet për profesionalizmin

Sallaku dha shpjegime në kriterin profesional lidhur me një denoncim ku ngriheshin pretendime për pushim të padrejtë të hetimit lidhur me mënyrën e privatizimit të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike, CEZ. Subjekti sqaroi se çështja ishte pushuar fillimisht nga Prokuroria e Përgjithshme dhe se kjo vendimarrje ishte lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë.

Ai sqaroi se pas rihapjes së hetimit me kërkesë të Kuvendit, Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar sërish pushimin e hetimeve në vitin 2017. Sallaku pohoi se nuk e kishte pranuar këtë kërkesë të prokurorisë dhe kishte vendosur rikthimin e akteve për hetime të mëtejshme, duke lënë edhe detyra konkrete.

Sipas subjektit, pas afro tre vitesh, prokuroria e kishte risjellë dosjen sërish për pushim, kërkesë që ai e kishte pranuar. Gjyqtari Sallaku theksoi se vendimarrja e tij për pranimin e kërkesës së prokurorisë për pushimin e hetimeve ishte lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit.

Ai shtoi se denoncuesi kishte kryer ankesë dhe në Inspektorin e Lartë të Drejtësisë për këtë çështje dhe se ishte vendosur arkivimi i asaj ankese, me argumentin se pretendimet e ngritura janë objekt i gjykatave më të larta.

Sallaku këmbënguli se vendimarja e tij ishte e bazuar në prova dhe u shpreh se e kishte të pamundur financiarisht që të fotokopjonte aktet e dosjes për t’i vendosur ato në dispozicion të Komisionit, pasi ishin 54 fashikuj.

Lidhur me një denoncim ku ngrihen pretendime për një vendim mosfillimi, subjekti pohoi se ankuesi nuk kishte ushtruar ankim ndaj vendimarjes së tij.

Për një tjetër rast mosfillimi, Sallaku sqaroi se bëhej fjalë për parashkrimin e veprës penale. Ai tha se është është e mirëpërcaktuar në ligj që të mos fillohet hetimi. “Dispozita nuk lë vend as për fillimin e hetimeve dhe as për interpretim”, pohoi subjekti.

Relatorja Bekteshi konstatoi se Apeli kishte vlerësuar ndryshe duke bërë tjetër interpretim dhe e pyeti subjektin nëse kishte dijeni për ndonjë vendim unifikues që trajtonte çështje të tilla. Sallaku u shpreh se nuk kishte dijeni nëse kishte një praktikë unifikuese lidhur me qëndrimin e ndryshëm të tij nga Apeli.

Zjarr Tv Ad