14-vjetori i ndarjes nga jeta/ Basha kujton Ibrahim Rugovën

0
9

Me rastin e 14-vjetorit të ndarjes nga jeta të presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, lideri i opozitës Lulzim Basha e kujton përmes një postimi në rrjetet sociale. Sipas Bashës, Dr.Rugova është gjeniu i politikës shqiptare dhe vazhduesi më i denjë i aksionit për zgjim kombëtar të Rilindjes Kombëtare.

“Sot nderimi më i madh që mund t’i bëjmë kujtimit të Ibrahim Rugovës është ngritja e shteteve të forta të Shqipërisë dhe Kosovës, me demokraci të vërtetë, liri dhe dinnjitet njerëzor”, shkruan ndër të tjera Basha.

POSTIMI I PLOTË:

14 vjet më parë kaloi në amëshim Ibrahim Rugova, gjeniu i politikës shqiptare dhe vazhduesi më i denjë i aksionit për zgjim kombëtar të Rilindjes Kombëtare. Rugova ishte si një fanar ku shqiptarët, andej e këndej Drinit, shihnin dritën e shpresës, dritën e çlirimit, edhe atëhere kur pak vend kishte për shpresë e pak optimistë besonin tek çlirimi i Kosovës nga zgjedha e fundit kolonialiste në Evropë.

E sotmja nuk është një datë dëshpërimi, as një përkujtimore, është një fat, është një këmbanë për secilin prej nesh për ta ndihmuar vetveten t’i rikthehemi veprës dhe trashëgimisë së Ibrahim Rugovës. Si një qëndrestar i pashoq në përpjekjen për demokraci, ai na mëson se si duhet t’u qëndrojmë kauzave të drejta, t’i mëkojmë ato dhe të mos i braktisim.

Rugova foli për Bogdanin në ditët më të errëta për Kosovën, u solli atyre kushtrimin e Çetës së Profetëve “Eja kush asht trim…”, Rugova foli për demokracinë atëhere kur shqiptarët në Shqipëri e në Kosovë kishin aq shumë nevojë për të.

Laureati i çmimit “Saharov”, “Gandi i Ballkanit”, themeluesi i të parës parti antikomuniste në botën shqiptare, luftëtari i palodhur për kthimin e shqiptarëve atje ku e kanë vendin dhe ku e meritojnë, në Perëndim, u shndërrua në legjendë që në të gjallë të tij.

Sot nderimi më i madh që mund t’i bëjmë kujtimit të Ibrahim Rugovës është ngritja e shteteve të forta të Shqipërisë dhe Kosovës, me demokraci të vërtetë, liri dhe dinnjitet njerëzor dhe me një dashuri të pashoqe për shkollën dhe për gjuhën shqipe.

Veç kjo përpjekje mund të përligjë tek ne krenarinë se ishim bashkëkohës të Ibrahim Rugovës dhe pasardhës të politikës që ai themeloi në botën shqiptare.