15 vjet burg kush dëmton objektet, ndërton jashtë standardeve dhe shkel lejen

0
36
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Këshilli i Ministrave ka depozituar në Kuvend një projektligj për ndryshimin e Kodit Penal, për kriminalizimin e çdo veprimi të paligjshëm në fushën e ndërtimit. Nisma ligjore shton dy nene të reja në Kodin Penal, duke parashikuar deri në 15 vjet burg për personat që dëmtojnë me dashje ndërtesa, objekte publike, vepra industriale, vepra të infrastrukturës dhe çdo objekt tjetër që mund të rrezikojë jetën ose shëndetin e njerëzve për shkak të ndërhyrjeve të paligjshme. Shkatërrimi i plotës ose i pjesshëm i çdo objekti do të dënohet me gjobë ose me burg deri në 5 vite. Kur nga ndërhyrjet e paligjshme kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënimi do të jetë nga 5 deri në 10 vjet burg. Kur shkaktohen pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, dënimi do jetë nga 7 deri në 15 vjet burg.

Kush ndërton jashtë standardeve do të përfundojë në burg. Konkretisht, projektimi, mbikëqyrja, zbatimi dhe kolaudimi i punimeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin, standardet dhe lejen, kur më parë janë marrë masa administrative, dënohet me burg nga 1 deri në 5 vjet. Nxitja e projektuesit, mbikëqyrësit, zbatuesit dhe kolauduesit për shkeljen e rregullave, do të dënohet nga 1 deri në 5 vite burg. Kur nga këto veprime vijnë pasoja të rënda materiale, siç ndodhi pas tërmetit 26 nëntorit 2019, personat përgjegjës do të dënohen nga pesë deri në 10 vjet burg. Kur nga ndërtimi i paligjshëm vijnë pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve, siç ndodhi në Thumanë dhe Durrës, dënimi do të jetë nga 7 deri në 15 vjet burg.

Nisma e qeverisë vjen pas tërmetit me pasoja dramatike të 26 nëntorit 2019, ku u shembën dhe u dëmtuan dhjetëra pallate dhe qindra shtëpi, ndërsa u konstatuar një boshllëk ligjor që nuk ndante përgjegjësitë dhe rolet e gjithë subjekteve që merrnin pjesë në zinxhirin e projektimit, zbatimit dhe kolaudimit të ndërtimeve. Por, ndryshimet në Kodin Penal, synojnë edhe ndëshkimin dhe frenimin e cenimit të pronës publike.

Në Kodin Penal, i cili përmban 335 nene, ka vetëm një parashikim të shkurtër për ndëshkimin e përgjegjësve për ndërtime të paligjshme të objekteve në tokën e vet. Më konkretisht, paragrafi i parë, i nenit 199/a, të Kodit Penal, parashikon që ndërtimi i kryer pa leje, në shkelje të rëndë të lejes ose në kushtet e një lejeje të shfuqizuar në tokën në pronësi të vet, dënohet me burgim deri në një vit. Ndërkohë paragrafi i dytë parashikon se kur kjo vepër penale kryhet në tokën publike ose shtetërore apo në tokën e tjetrit dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Pra, Kodi Penal, rregullimet ligjore të mësipërme nuk përmbajnë asnjë parashikim të posaçëm mbi humbjet njerëzore, pasojat e rënda në dëme materiale ose/dhe në cenimin e shëndetit të njerëzve nga veprimtaritë e paligjshme të ndërtimit, duke shkelur rëndë dhe me dashje kushtet teknike dhe ligjore mbi punimet e ndërtimit si dhe standardet profesionale.

Zjarr Tv Ad