Në seancën maratonë të Kuvendit të Shqipërisë, ka folur edhe deputetja e re e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari.
Fjala e saj ka përkuar me 19-vjetorin e vrasjes së babait të saj, dëshmorit të demokracisë, Azem Hajdari, e për të mosrespektimi i Kuvendit është mosrespektim i atyre që nuk jetojnë më.
Por ndonëse fjala e parë, Rudina Hajdari nuk i ka kursyer kritikat për qeverinë ‘Rama 2’, teksa e etiketoi si gabim fatal shkrirjen e Ministrisë së Integrimit.
“Shkrirja e Ministrisë së Integrimit për mua është gabim fatal. Do i shërbente anëtarësimit në BE. Ju e dini se negociatat e Kroacisë zgjatën plot 9 vjet. Ministria e Integrimit do të lehtësonte dhe shkurtonte këtë proces. Të flasësh në këtë podium është privilegj. Shqipëria ka paguar një çmim të rëndë për demokracinë. Mosrespektimi i këtij Kuvendi mosrespektim për ata që nuk janë sot. Detyra jonë është të ndërtojmë plane mbi parime të besueshme e afatgjatë… Jam e nderuar që flas sot para jush si bija e Azem Hajdarit”, – deklaroi ndër të tjera deputetja e PD-së, Rudina Hajdari.