“Ndjesë e sinqertë” publike drejtuar Kryetarit legjitim të Bashkisë z. Erion Veliaj …

0
5276
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ju jemi mirënjohës që edhe pse ishit i angazhuar në kohë të plotë me dhuratën e bustit të Skënderbeut në Budapest, patët gjerësinë shpirtërore që ju karakterizon dhe gjetët kohën për të sqaruar publikun mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të hedhur dritë mbi kakofoninë e krijuar nga disa arkaikë të Kulturës dhe Trashëgimisë, që kanë humbur toruan pas fitores së mandatit tuaj të tretë dhe nuk lënë rast pa hedhur baltë mbi dashurinë e pamatë që ju keni për Artin, Kulturën dhe Trashëgiminë.

E vërteta e madhe është që Gjykata Kushtetuese ka shfaqur një tendencë të dukshme dhe të pajustifikueshme kundër jush.

E para kur z.Soreca shkoi të takojë kryetaren e kësaj Gjykate, pikërisht në ditën e gjyqit të teatrit për ta inkurajuar për të marrë një vendim pro jush, në mënyrë që puna juaj për ndërtimin e Teatrit të Ri mos ngelte e papërfunduar, nuk e respektuan nga dera e përparme, por e detyruan të hynte e të dilte nga dera e pasme. Një fyerje e rëndë për ambasadorin shpirtmadh të BE, nëse kemi parasysh që vendi ynë shquhet për traditen e mikpritjes.

E dyta, e shpallin vendimin, pikërisht në 2 korrik, simbolin e rënies së komunizmit, duke e ditur fare mire që simbolikat ju i pëlqeni shumë dhe ato janë mjeti juaj i preferuar ndaj kundërshtarëve tuaj të pashpresë.

 

E treta, vendimet:

Gjykata Kushtetuese vendos si antikushtetues, projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar, kur ju e keni anulluar (ppp) prej kohësh. Ndoshta Gjykata Kushtetuese nuk ishte në dijeni që kryetari i bashkisë ka fuqinë të anulloje ligje. E pafalshme për një institucion kaq të lartë të ketë një mungesë informacioni të këtij lloji.

Gjithashtu (në pikën e famshme te kakofonise) gjykata ka vendosur të mos marrë në shqyrtim vendimin për shembjen e teatrit duke miratuar kështu shembjen e tij prej jush (një pasaktësi e vogël në ndërtimin e fjalisë ka sjellë që jo vetem qytetarë dhe gazetare, por edhe juristë ta lexojnë gabim).

Më poshtë gjykata thotë që shpallet antikushtetues vendimi i transferimit të pronës së teatrit, nga Ministria e Kulturës ne Bashki. Këtu dukshem ka një gabim nga ana e saj. Si mund të jetë antikushtetues ky kalim, kur vetë prishja e teatrit u miratua?!

Së fundmi, pezullohet çdo akt deri në vendimin e formës së prerë gjë që shtyn fillimin e ndërtimit të teatrit të ri.

Duket sikur nuk do të ketë fund kurrë ky kalvar i luftës midis zhvillimit dhe anarkisë.

Është e çuditshme sesi gjithmonë historia përsëritet. Megjithëse zhvillohet çdo sek, kalojnë vite shekuj, mijëvjçarë, gjthmonë del një grup penguesish që kërkon medoemos të merret me rrënojat, me rrënjët..

Si mund të përligjet pafund një çmenduri e tillë z. Kryetar? Nuk mundet që pas fjalëve histori dhe trashëgim të fshihet dëshira për të penguar zhvillimin që vjen bashkë me kohën. Po si mund të zhvillohej shoqëria deri më sot nëse të gjithë do të merreshin me të shkuarën?!

 

E pranojmë, ne e kemi ditur gjithmonë këtë brenda vetes. Por, ka një fenomen: ai që njihet si histeri kolektive. Kështu, kur një grup njerëzish ulërasin me pathos për diçka, ndodh që vibrimi i adrenalinës së ngritur shpërhapet tek të tjeret dhe gjithnjë e më shumë njerëz, fillojnë te reagojne njësoj për inerci, të errësuar nga gjykimi. Madje edhe kur gjykimi vjen, kur njerëz të paprekur nga histeria, tentojnë të ndriçojnë pjesën tjetër, është shumë e vështire të ndalet, sepse histeria është kondicion mjekësor. Mendojmë që ky është rasti ynë.

 

Ne prej kohësh e dimë që duhet të ndalim, por nuk ndalim dot. Sapo duket sikur jemi afër fundit, vjen gjithmonë një vibrim që na nxjerr serish jashte kontrollit. Ne fillim, populli, pastaj Europa Nostra, pastaj Parlamenti Europian…dhe tani që vërtet menduam se kjo po zbehej, sidomos me fitoren e qartë të mandatit të tretë, flet Gjykata Kushtetuese…Duket sikur kjo sëmundje nuk do të dijë për pozitën, për intelektin, për madhështinë e institucioneve apo organizatave….i zë të gjithë pa përjashtim. Frika jonë më e madhe është se mos ky vibrim i Gjykates Kushtetuese kalon dhe në Spak, duke sjellë kështu vonesa të tjera të panevojshme në zhvillimin e qytetit, psh ndonjë dënim të papritur për njerzit që s’kanë kohë për pushim. Ju lutem ruani veten,sepse tani që çështja e teatrit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese po troket në dyert e SPAK, rrezikon qe deliri dhe cmenduria e histerise t’ju zere dhe ju.

I nderuar Z. Kryetar

Ju e dini që një grup histerikësh nuk ka fuqinë t’ju dëmtojë, por vetem t’ju krijojë bezdira të vogla. Por, në mbrojtjen tonë, duhet të theksojmë që një faj të madh për këtë kanë dhe mediat…një pjesë e tyre akoma na japin mundesinë të shprehemi në hapesira tv, duke ndikuar kështu keq jo vetëm në shëndetin tonë e të atyre që na dëgjojnë, por dhe në qetësinë tuaj si pnëmbaruar që jeni. Ju me të drejtë keni bërë thirrje këto ditë që ne të na hiqet mikrofoni; ne ju inkurajojmë të vazhdoni ta bëni. Bëjeni derisa të gjithë gazetarët të bëhen si ata, që edhe kur ju pyesin për diçka ju i pergjigjeni tjetër gjë, ju kuptojnë më së miri, sepse nje profesionist i mirë ju kupton edhe pa folur fare. E në rast se prapë ndodh të na shihni ndokund, thjesht na injoroni. Ju lutemi. Dyllosini veshët si shokët e Odisesë. Ju nuk keni pse ndiqni me kaq vemendje çfarë bën një grup histerikësh, që nuk e ka veten neë kontroll.

Në fund të kesaj apologjie, në formë mea culp-e, ne ju themi se kemi vendosur që tani e tutje të vetëquhemi “Histerikët e mbrojtjes së teatrit”.

P.S. Në pamundësi për të pushuar, ne mund t’ju ofrojmë garanci në dyllin e veshit që ju ofrojmë.

Ju urojmë shëndet e mbarësi

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit

Ose ndryshe

Histerikët e Mbrojtjes së Teatrit

Zjarr Tv Ad