8 persona u arrestuan mëngjesin e sotëm, me urdhër të SPAK dhe një tjetër është në kërkim për shkak të korrupsionit me tenderin e uniformave të policisë.
Gjithçka nisi dy vjet më parë, kur Ministria e Brendshme hapi tenderin me vlerë kolosale prej 25 milion eurosh, me qëllim blerjen e uniformave për efektivët e Policisë së Shtetit deri më 2023.
Afati limit për pranimin e ofertave ishte 23 gushti dhe sipas të dhënave të publikuara nga “Opendata”, fitues u shpall bashkimi i kompanive “D&E SHPK dhe SUMMER CONF. s.r.l dhe LOVERS s.r.l dhe YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN. TIC. AS A. VEDAT YAKUPOGLU”.
Dokumenti i shpalljes se tenderit
Këto kompani morën përsipër që t’i ofrojnë uniformat Policisë së Shtetit, me një çmim mesatar për njësi prej 319 966 lekësh, raporton abcnews.al. Ndërkohë, dy ofertat e tjera kishin një çmim mesatar për njësi 133 480 lekë dhe 446 667 lekë. Pasi mori ofertat Agjencia e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme, vendosi të skualifikojë dy ofertat e para, duke shpallur fituese atë të bashkimit të disa kompanive shqiptare, me ato turke prandaj edhe uniformat e Policisë së Shtetit të Shqipërisë, janë të njëjta, përveç logove me ato të Policisë së Turqisë.
Çfarë ndodhi?
Fill pas shpalljes së fituesit, u pa që tenderi kishte probleme dhe ai kategorizohet si me “flamur të kuq” nga “OpenData”, ndërkohë që një ndër kompanitë e skualifikuara ankohet në Agjencinë e Prokurimeve Publike për procedurat e ndjekura. Bëhet fjalë për kompaninë Marsi-al, e cila pretendoi se ishin bërë modifikime të dokumenteve të tenderit. Kjo kompani ka fituar tenderin prej 960 mijë eurosh për prodhimin e uniformave të policisë në dhjetor 2015.
Ankesa e kompanisë u hodh poshtë nga Komisioni i Prokurimeve Publike, KPP. Pas kësaj ankese dhe padisë së dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë fillojnë hetimet e SPAK, të cilat çuan sot pas hekurave Edlira Naqellarin, Kreshnik Bejkajn, Ani Omurin, Klevis Hasanin, Anisa Bogdanin, Flutura Çekrezin, Fatmir Demnerin, Gëzim Mingajn dhe Mariglen Buzalin.