Funerali politik i Erjon Veliajt në zyrat e SPAK-ut tregoi se servilizmi me të cilin ai përkëdheli ndër vite sedrën e Edi Ramës nuk qe një deformim i karakterit, por më shumë një mekanizëm mbrojtës me të cilin kryebashkiaku 45-vjeçar i Tiranës besoi se do t’i shpëtonte paranojave të pushtetit politik dhe kriminal me të cilin drejtohet Partia Socialiste. Sa herë që iu dha mundësia, Veliaj e shpërfaqi pa komplekse përulësinë dhe besnikërinë ndaj shefit, për t’ia hequr çdo dyshim se një ditë, pushteti që Rama ia fali me bujari, do përdorej për ta ngrënë pas shpine.
Por edhe pse u zvarrit për gati 12 vjet për t’u rritur politikisht dhe financiarisht dhe kur të gjithë besuan se ia doli të projektohej si lideri i ardhshëm i socialistëve, investimi u shemb me një të rënë të lapsit.
Sot, edhe ithtarët më të verbër të Veliajt, bien dakort se atij nuk i ka mbetur më asgjë veç pikëpyetjet nëse duhet të kthehet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo të bëjë të njëjtat gabime që bënë të tjerët para tij.
Gjithsesi, gjatë vitit 2024 Veliaj duhet t’i kishte marrë seriozisht sinjalet që i vinin nga Edi Rama. Me sjelljen e tij, kryeministri e ka parathënë fatin që i kishte caktuar “Lalit” të vogël, por ky ka refuzuar ta lexojë.
Kritikat e papritura në Asamblenë e PS
Në fillim të këtij viti në Partinë Socialiste nis të lëvizë një mekanizëm i pamëshirë persekutimi, që të kujton kohërat e errëta të diktaturës.
Përshëndetjet e miqve të dikurshëm ftohen papritur, vështrimet e Ramës bien vëngër mbi atë që deri dje trajtohej si një njeri i dashur i familjes politike. Takimet në privat rrallohen ndërsa kritikat publike shtohen. Kur e pyesin konkretisht për rastin Veliaj në media, Rama bluan përgjigje pa përgjigje dhe shfaq një paqartësi në qëndrime, që nuk paralajmëron asgjë të mirë.
Jo se Edi Rama kishte qenë më i ngrohtë në të shkuarën me Veliajn. Përkundrazi, në një rast, gjatë një vizite të përbashkët në një familje të dëmtuar nga tërmeti e urdhëroi të çohej personalisht e t’ia lyente shkallët e pallatit që në orën 5 të mëngjesit. Një moment tjetër e kishte turpëruar publikisht, kur e urdhëroi me ngulm t’ia gjente urgjent lopën e humbur një fshatari në Farkë. Histori si këto Veliaj i kishte gëlltitur pa u menduar dy herë.
Problemi në 2024 ishte tjetërkund. SPAK sapo kishte marrë Taulant Tushen, bashkëpuntorin më të afërt në bashki dhe e kishte kyçur në qelitë e burgut. Zyrat e bashkisë po bastiseshin rregullisht nga agjentët e BKH-së. Punonjësit kishin frikë të firmosnin dhe punët po shkonin drejt ngërçit.
Në këto kushte, çdo deklaratë e Ramës kundër Veliajt ishte një sinjal që spakistët të shkonin më tej me presionet e tyre.
Ky ishte konteksti me të cilin Lapsi.al e lexoi vërejtjen që Rama ia bëri Erjon Veliajt në mbledhjen e asamblesë kombëtare të Partisë Socialiste në fillim të vitit të kaluar. Data e asamblesë ka qenë 11 shkurt, pra 3 ditë pasi Nesti Angoni kishte dorëzuar në SPAK provat me të dhëna konfidenciale kundër Erjon Veliajt.
Në sy të dhjetëra socialistëve, Rama i kthehet harbutçe Erjonit me fjalët: “Ç’janë këto mbledhje kot që bën, je bërë si OJF”.
Rama ishte i pakënaqur me disa takime që Veliaj kishte zhvilluar me socialistët në bazë. Realisht, në këto takime nuk kishte asgjë konkrete për zgjedhjet, por Veliajt i duheshin për t’i treguar hetuesve të SPAK se ai ishte ende një aset i vyer për Partinë Socialiste të Tiranës. Sigurisht që takimet shërbenin edhe për t’u shfaqur sa më i gatshëm për besnikëri dhe shërbim Edi Ramës me mesazhe publike të tipit “premtoj publikisht se kjo do të jetë fushata ku unë do të impenjohem edhe më shumë, do të punoj edhe më fort, jo vetëm për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, por për faktin se kjo forcë politike dhe kryetari i saj e kanë transformuar Shqipërinë në një mënyrë të paimagjinueshme”.
Çështja është se kur Rama ia bëri të qartë se ishte ngopur me servilizma dhe se kishte pakënaqësi me Veliajn, ky e mori këtë si një pakënaqësi të momentit dhe jo si një kthesë që do të shkonte deri në braktisje nga ana e shefit të mazhorancës.
Në vend se të përgatitej për një skenar akoma më të keq, Veliaj sulmoi publikisht “lapsat dhe stilolapsat”, që sipas tij ishin në kërkim të një konflikti dhe se po u bëheshin “gjunjët kallo” duke u lutur për një përplasje të brendshme në Partinë Socialiste.
Përjashtimi nga ceremonia me Blinken
Naiviteti i “Lali Erit” nuk mbaron me kaq. Kur telashet për të sapo kishin nisur në muajin shkurt, në Tiranë erdhi sekretari i shtetit, Entoni Blinken. Vizita u interpretua atëherë si një nevojë e Ramës për të gjetur një rrugë të mesme me reformën në drejtësi.
Në ceremoninë e pritjes së Blinken tek piramida e Tiranës, Veliaj nuk ishte i ftuar. Por gjithsesi ai ia doli në njëfarë mënyrë ta ndalojë në pak sekonda për një shtrëngim duarsh dhe disa foto me sekretarin e shtetit.
Vetëm se ato sekonda që Blinken shpenzoi për fotot me Veliajn, ishin disa sekonda më shumë për të cilat Edi Rama duhej të priste brenda në ambjentet e piramidës dhe atëherë u raportua se kjo vonesë nuk i pëlqeu aspak kryeministrit.
Duhet thënë se në fillim të këtij viti, kur agjentët e BKH hynin e dilnin nga zyrat e Bashkisë së Tiranës, artikulimi i Veliajt në publik ishte ende brenda vijës së partisë. Ai vazhdonte fliste për “drejtësinë e re” si një histori suksesi të arritur nga Partia Socialiste.
“Drejtësia e re, si çdo gjë e re, nga disa do anatemohet, nga ne do lavdërohet” shprehej Veliaj në intervistat për mediat gjatë muajit shkurt. Kuptohet se atëherë ishte ende i pandërgjegjshëm për atë që po ndodhte.
“Përkrahja” me pikë e me presje
Në fund të muajit mars, SPAK e thelloi goditjen ndaj Bashkisë së Tiranës. Dy drejtorë të tjerë të bashkisë, të dy shumë të afërt me Erjon Veliajn u arrestuan për aferën e kompanisë “5D”.
Maringlen Qato dhe Redi Molla, bashkë me Taulant Tushen që tashmë ishte në burg, kishin krijuar një firmë ndërtimi me të cilën i fitonin vetë tenderat e bashkisë. Dhjetëra miliona euro i kishin investuar në hotele dhe biznese me familjarët e tyre.
Veliaj e pa veten zbuluar. Ishte e qartë se herët e vonë hetuesit e SPAK do të mbërrinin tek ai.
Duke nuhatur një komplot që po i thurej pas krahëve tërhoqi edhe Edi Ramën në lojë. Kryebashkiakut të plagosur te Bashkisë së Tiranës i duhej të dinte nëse kryeministri kishte gisht në këtë mësymje të SPAK drejt tij apo jo.
Prandaj në një dalje publike, kur sqaroi pozicionin e tij përkundrejt drejtorëve të arrestuar, Veliaj tërhoqi edhe Edi Ramën në lojë kur përdori të njëjtën alibi për t’u shfajësuar, që Rama e kishte përdorur për t’u shfajësuar në rastin e Arben Ahmetajt, Lefter Kokës, Ilir Beqajt etj.
“Si ka mundësi të mos i dinte këto Edi Rama dhe si mund të ndodhi që, deri edhe zëvendësi i tij, një person që sot është në kërkim nga drejtësia, t’i bëjë këto pisllëqet e mëdha për të cilat akuzohet, pa bekimin e kryeministrit?” ishte pyetja që përsëriste me dinakëri Veliaj.
Deklarata përbënte edhe një risi në marrëdhënien mes të dyve. Për herë të parë, ishte Veliaj që po e tërhiqte Ramën në një debat, madje po e përdorte si mashë për punët e tij të pista. Në të shkuarën kishte ndodhur vetëm e kundërta.
Reagimi i Ramës erdhi disa orë më pas. U duk sikur i bëri një koncension të rëndësishëm kur tha se binte dakort me gjithë ç’kishte thënë Veliaj, me “pikë e presje”.
Por se kishte vetëm një merak; se duhet të pranohej çdo goditje që vinte nga SPAK brenda në parti apo në administratë.
“Goditjet e SPAK-ut ndaj kujtdqoftë në radhët e ekzekutivit, në çdo nivel të qeverisjes, që ka shkelur ligjin dhe ka tradhëtuar misionin tonë në shërbim të këtij vendi e të këtij populli, ne nuk i përjetojmë si gjëma, as si fajësi kolektive, po si një ndihmë të paçmuar në një luftë kundër korrupsionit, të cilën deri dje nuk e bënim dot sa e si duhej, pikërisht sepse mungonte krahu i drejtësisë së pavarur.” shprehej Rama.
Të nesërmen Veliaj u shfaq në media euforik dhe pranoi se ndjehej mirë nga mbështetja që i kishte dhënë Rama, i cili e kishte përkrahur për mollët dhe dardhat që vartësit e tij i hanin pas shpine.
“Nuk e prisja dhe sigurisht, që u surprizova për mirë dhe e vlerësova. Unë besoj që në një skuadër, ku kapiteni i skuadrës, të jep një mbështetje që nuk e kisha kërkuar, s’e mohoj që patjetër që u ndjeva mirë që ndajmë këtë vizion edhe themi po, ne njerëzit nuk i trajtojmë si lecka”
Veliaj nuk kishte si ta dinte se që nga muaji shkurt, ai dhe familjarët e tij ishin në verifikim nga një dosje tjetër, të dhënat e së cilës ishin sjellë nga i ashtuquajturi, Nesti Angoni. Nuk kish si ta dinte se udhëtimet e tij që 10 vjet më parë po hetoheshin nga SPAK bashkë me transaksionet bankare të së shoqes, Ajola Xoxa, të vëllait, Arbër Veliaj, madje edhe të nënës dhe të vjehrrës së tij.
Por a kishte dijeni Edi Rama për këtë dosje? A kishte informacion kryeministri për veprimet e të ashtuquajturit Nesti Angoni? A e dinte Rama se goditja fatale ndaj Veliajt nuk po i vinte nga mollët dhe dardhat që kishin ngrënë drejtorët e Bashkisë, por nga marrëdhënia okulte me linjën e pastrimit të parave të Elman Abule?
Përgjigjet nuk i dimë ende. Por shpejtësia me të cilën Rama pranoi të luajë lojën e Veliajt duke i dhënë të drejtë për alibinë e dosjes së drejtorëve ishte e habitshme. Rama asokohe kërkoi vetëm të mos sulmohej SPAK. Aty ku një hetim tjetër po përparonte në dëm të Erjonit.
Koordinimi Rama-Dumani për ta nxjerrë bllof
Vetëm kur i ka mbërritur fletë-thirrja e SPAK për aferën e inceneratorit të Tiranës, Erjon Veliaj duhet të ketë ndjerë se toka po i rrëshkiste ndër këmbë. Deri në atë moment, drejtësia kishte trokitur deri tek bashkëpuntorët e afërt të tij.
Në datën 30 prill, qëndroi për 7 orë në zyrën e hetuesve. Në dalje u përpoq ta mbledhë veten dhe për të treguar se kishte situatën nën kontroll i quajti prokurorët “kolegë”.
Përgjigjia i erdhi menjëherë nga Altin Dumani, që lëshoi si rrallëherë në media një prononcim për ta nxjerrë bllof.
“I është dërguar fletë-thirrje të mërkurën e javës së kaluar për t’u pyetur në cilësinë e deklaruesit si person që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes së inceneratorit të Tiranës,” shprehej Dumani.
Si të mos i mjaftonte kjo, disa ditë më pas, Edi Rama do ta poshtëronte edhe një herë publikisht. Në përpjekje për t’u afruar, Veliaj e ftoi në një ceremoni për të nderuar Ali Ahmetin.
“Vetëm Ali Ahmeti mund të më kthente këtu sot” veçoi Rama arsyen e takimit të detyruar me Veliajn. Kur u largua, u kujdes që në Facebook të publikojë një foto të retushuar.
Tani sinjalet se ishte shndërruar në një person të padëshiruar për kryeministrin, ishte e pamundur të mos i lexoje.
Kritika për debatin me Baton Haxhiun
Maji e shtoi akoma më shumë rrokullisjen e Erjon Veliajt me një shigjetë tjetër që Edi Rama ia dërgoi publikisht. Atëherë kur mbështetja e shefit të qeverisë i duhej më tepër se kurrë, sepse SPAK sapo e kishte njoftuar për hetimin pasuror, Veliaj mori një kritikë tjetër.
është fjala për debatin që pati me botuesin Baton Haxhiu, i cili kishte qenë i mendimit se Veliaj duhet të kishte dhënë dorëheqjen për shkak të skandaleve të bashkiseë. Për këtë mendim, Haxhiu u sulmua ashpër nga Veliaj në dalje të SPAK.
“E di ai tjetri çfarë ka kërkuar për sondazhet që nuk i bën dhe faturon shifra të panevojshme dhe kur nuk e duan në Kosovë, në Shqipëri nuk e duan aspak” tha ai.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Baton Haxhiut i cili e etiketoi Veliajn si majën e piramidës “së një sistemi të frikshëm të vjedhjes sistematike, shkëmbimit të shërbimeve për interesa të ngushta dhe dhënies së favoreve ekonomike”.
Ku qëndroi Rama në këtë debat? Siç nuk pritej, ai doli në anën e kundërt të Veliajt. Disa ditë më pas, gjatë një interviste në Opinion, kryeministri tregoi se i kishte “shkulur veshin” kryetarit të bashkisë.
“Po, i thashë. Gabim shumë i madh. Sepse unë personalisht kam pasuar shumë herë reagime ndaj medias. Por, nuk kam sulmuar kurrë një me emër, një person, sepse këto sulme nuk janë sulme të denja për kë do qoftë që ka një funksion të lartë dhe që ka një raport që lidhet me rolin e tij institucional” – tha Rama.
Pranvera e ankthit të Veliajt
Kur vjen puna tek sulmet ndaj gazetarëve Rama është një ndër kampionët në fuqi. Ndaj kur u fut në konfliktin mes Veliajt dhe Haxhiut, kryeministri dukej se po kërkonte sebep për të forcuar idenë se Veliaj tashmë ishte një kartë e djegur.
Fuqizimi i Ballukut në parti dhe në qeveri
Në mes të muajit maj në SPAK shkoi të dëshmojë Belinda Balluku. Ajo dhe Veliaj kanë krijuar një çarje të madhe në gjirin e mazhorancës për llokmat e pushtetit që u hedh Edi Rama. Çdo fjalë e Ballukut në dalje të SPAK ishte një thikë për “Lalin” që tashmë nuk po e ndalte dot rrokullisjen.
“Kjo është një dosje që ka bërë pis të madh e të vogël dhe ka ardhur koha të zbardhet, për të ndarë njëherë e mire të mirën nga e keqja, punën e ndershme nga abuzimi i pafalshëm”, tha Balluku.
Zv.kryeministrja po tejçonte fjalët e Edi Ramës dhe kjo u konfirmua në kongresin e socialistëve në muajin korrik, ku Rama prezantoi ndryshime të befasishme në qeveri dhe ku ministrat e rinj ishin njerëzit e Belinda Ballukut.
Ministri i Brendshëm, i Financave dhe ai i Mbrojtjes vinin direkt nga onturazhi i Belinda Ballukut që po merrte de facto frerët e qeverisjes së vendit,. Erjon Veliaj tashmë kishte humbur ndikimin tek Rama dhe bashkë me të edhe mbrojtjen nga drejtësia e re.
Në fakt, gjatë kongresit, emri i Veliajt u përmend vetëm për pak humor të zi nga Edi Rama, si njeriu që njihte Pandeli Majko dhe që mund t’i gjente lehtësisht ndonjë vend në varreza.
Zhveshja nga pushteti politik në Tiranë
Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare, Edi Ramës nuk i mbetej shumë kohë për të pritur që SPAK të mbaronte Erjon Veliajn. Muajt kaluan shpejt. Prokurorët po vazhdonin hetimet, ndërsa Rama ishte i detyruar të merrte masa për ta zëvëndësuar Veliajn nga strukturat e partisë si një lojtar i dëmtuar, fati i të cilit nuk dihet dhe që i rëndon skuadrës.
Në Shtator, gjatë mbledhjes së asamblesë, Edi Rama njoftoi se në krye të fushatës në Tiranë do të ishte Elisa Spiropali, Ogerta Manastirlu dhe Erjon Veliaj. Kamera fiksoi momentin kur Veliaj dëgjoi nga goja e Edi Ramës heqjen e spaletave të udhëheqësit të Tiranës, që tashmë nuk i takonin vetëm atij.
Vështrimi i përhumbur dhe fytyra e zbehtë e kryebashkiakut në atë moment (foto më lart) tregonte shumë më shumë sesa komentet që do të vinin më pas.
E vërteta është që në javët në vazhdim, Veliaj u shmang tërësisht nga fushata e Tiranës. Dy muaj më pas, i ndërgjegjshëm se po e hidhte në gojën e SPAK pa asnjë mbrojtje politike, Rama solli në Tiranë Blendi Gonxhen, duke ia suprimuar totalisht funksionin në strukturat e Partisë Socialiste.
Zhveshja e kryebashkiakut të Tiranës nga fuqia politike ishte ndër goditjet më të forta që ai ka marrë nga kryeministri. Ajo është edhe një parathënie asaj që ndodhi në muajt e fundit të këtij viti, kur spakistët mësynë për kontrolle në shtëpinë e tij, i morën telefonin Ajola Xoxës, bastisën zyrat e kompanive të saj, kontrolluan shtëpitë e nënës dhe vëllait Arbërit për të arritur tek akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.
Udhëtimi në SHBA
Në datën 28 dhjetor, disa orë pasi kishte nisur udhëtimin për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Erjon Veliaj i dha një përgjigje plot mllef Sali Berishës, që kishte kërkuar nga Edi Rama shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës. Në këtë mesazh për raportet me SPAK-un, që ishte i fundit nga Veliaj për këtë vit, ai premtoi se do të sillej si burrë para akuzave, duke u vetëkonsideruar një “mbështetës i drejtësisë së re”.
Nuk vonoi edhe reagimi i Ramës. Për ironi, tani që Veliaj është në fundin e tij, Rama nxjerr vetëm proverba parimore të tipit “cilido është i hetueshëm, nuk e bën cilindo të fajshëm, dhe nga ana tjetër, gjyqet nuk bëhen në media, por gjyqet bëhen në proceset ligjore dhe kushtetuese”.
“Me pikë dhe prejse” të gjithë detajet që parathonë rënien e Lalit
Të njëjtat fjalë pak a shumë janë dëgjuar edhe për socialistë të tjerë në momente të vështira, duke nisur nga Saimir Tahiri, Lefter Koka, Ilir Beqaj etj, të cilët pranuan të binin një nga një në burg, por nuk pranuan ta shkelin vijën e partisë./Lapsi.al