Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka zhvilluar një takim me përfaqësuesen e misionit të OSBE/ODIHR në Tiranë. Mësohet se e para e LSI-së gjatë takimit do t’i dorëzojë shefes së misionit një dosje të plotë me të gjitha shkeljet e dokumentuara gjatë zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
“Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi takohet me ambasadoren e OSBE/ODHIR, Audrey Glover. Kryemadhi do paraqesë një dosje të plotë ambasadores Glover, me të gjithë shkeljet e Kushtetutës dhe ligjit zgjedhor për votimet moniste të mbajtura nga qeveria më 30 qershor”-njofton zyra e shtypit të LSI-së.
Një ditë më parë shefja e OSBE/ ODIHR takoi edhe kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën, por nuk kishte detaje për atë se çfarë kanë diskutuan mes tyre në selinë blu. Disa orë pas takimit, koalicioni opozitar iu drejtua KQZ me një letër që mbante firmën e sekretarit të përgjithshme të PD-së, Gazment Bardhi, i cili i kërkonte këtij institucioni që t’i vihen në dispozicion të gjitha materialet zgjedhore. Sipas opozitës, me këtë kërkesë synohet të vërtetohen shkeljet e 30 qershorit.